Lajme

Kosovë: Konfiskohen 31 kilogramë marihuanë, arrestohen dy persona


Konfiskohen 31 kilogramë marihuanë në Komoran të Drenasit

Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës ka konfiskuar 31 kilogramë substancë narkotike, me ç’ rast ka arrestuar dy persona të dyshuar për blerje, posedim apo shpërndarje të paautorizuar të saj.

Kështu bëhet e ditur përmes një njoftimi për media nga Policia e Kosovës, ku thuhet se sasia e konfiskuar e substancës narkotike – marihuanë është gjetur në një veturë të tipit “Passat” në Komoran të Drenasit.

“Policia e Kosovës në luftën e saj për identifikimin dhe parandalimin e dukurisë së posedimit, përdorimit apo shitblerjes së substancave narkotike, përmes zyrtarëve policor të anti-drogës ka realizuar dje një operacion policor me ç ‘rast janë arrestuar dy persona të dyshuar dhe janë konfiskuar 31 kg substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, ky operacion policor është ndërmarr të martën e 17 gushtit, pas pranimit të informacioneve dhe hetimeve të zhvilluara nga njësia rajonale e Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotik në Prishtinë, në konsultim dhe bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Substanca narkotike është gjetur në dy thasë.

Ajo është gjetur në “Passatin” me targa vendore, ndërsa është konfiskuar edhe një veturë e një shtetasi të Shqipërisë.

Vetura e tipit “Passat”, ku jane gjetur dhe sekusestruar 31 kilogramë substancë narkotike

Bazuar në njoftimin e PK-së, përveç sasisë së marihuanës dhe veturës janë konfiskuar edhe dy telefona celularë, një mijë e 50 euro dhe 13mijë e 500 lekë.

Ndërkohë, me urdhër të prokurorisë “është realizuar edhe një bastisje në lokacionin e të dyshuarit nga Kosova dhe është sekuestruar edhe një veturë e tretë, në të cilën janë gjetur mbetje të vogla të substancave narkotike”.

Personat e arrestuar nga Policia e Kosovës me vendim të Prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore