Shqipëria

Kosovar apo shqiptar? – në plazhet e Shqipërisë


Shqipëria është një nga destinacionet kryesore turistike në Ballkan. Për një pjesë të fqinjëve është destinacion i rëndësishëm.

Ndërsa, për shqiptarët e Kosovës është destinacion kryesor dhe i pandryshueshëm.

Vetëm fundjavën që lamë pas, mbi 40 mijë qytetarë të Kosovës ia mësynë plazheve të Shqipërisë. Shpenzimet e tyre llogariten në disa miliona euro.

Rreth 300 milionë euro llogaritet të jetë kontributi i pushuesve nga Kosova në ekonominë shqiptare, vetëm gjatë muajve të verës.

Por, edhe këtë verë, si çdo tjetër, të pushosh si “kosovar” të kushton më shtrenjtë se tjetrit që pushon si “shqiptar”.

“Ka njerëz që, sapo marrin vesh që klienti i tyre është nga Kosova, e rrisin çmimin e shërbimit apo mallit”, thotë për Albanian Post, gazetari me përvojë, Frrok Çupi.

Megjithëse vlerëson se “kohët e fundit është zbutur marrëdhënia armiqësore e mikpritësve shqiptarë me klientët nga Kosova”, paragjykimet vazhdojnë, vijon ai.

Çmimet mbeten ashtu siç ishin. Për “shqiptarët” ndryshe. Për “kosovarët” ndryshe. Këtë na e thotë edhe zonja G.A. nga Shëngjini, ku turistët nga Kosova zgjedhin të bëjnë pushime.

“Në Shëngjin ka dy lloje çmimesh, për shërbim apo mallin që merr”, sqaron ajo. “Njëri është ‘për kosovarët’ dhe tjetri është ‘për lezhjanët'”.

Një rrëfim historik

Në periudhën e hapjes së Shqipërisë dhe fillimet e ardhjes së turistëve nga Kosova “ka pasur sjellje shumë brutale”, nënvizon Çupi.

“Gjithçka lidhej me idenë se kosovarët janë të pasur, kurse ne në Shqipëri praktikisht ishim të varfër”.

Dhe, meqë dallimet në gjendjen ekonomike ishin të mëdha, mendon ai, kjo i bënte të gjithë “shqiptarët e babëzitur”, të mendojnë se “ata të Kosovës kanë me bollëk”.

“Nuk ua bëjnë se janë kosovarë. E bëjnë se janë më të pasur se ne, sipas idesë së tyre”, sqaron më tej gazetari.

Një përshtypje e tillë fillestare mund “të arsyetohej” nga mosnjohja. Kosova dhe Shqipëria i kishin jetuar dy realitete të ndryshme për 100 vjet.

Për pjesën më të madhe të kësaj periudhe, shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në socializmin vetëqeverisës jugosllav, me episode nacionaliste, që e shkatërruan Jugosllavinë përgjatë viteve të 90-ta të shekullit të shkuar – duke i hapur rrugë çlirimit të Kosovës.

Ndërkaq, shqiptarët e Shqipërisë e jetuan “diktaturën e proletariatit”, në formën e një prej regjimeve komuniste më të epokës, që udhëhiqej nga Enver Hoxha.

Ndonëse kjo periudhë ka kaluar dhe shqiptarët e njohin njëri-tjetrin, ideja që shqiptari i Kosovës, pra kosovari, është i ndryshëm nga ai i Shqipërisë, është akoma aktuale, sqaron Frrok Çupi.

Ngjashëm mendon edhe gazetari Aleksandër Çipa. Sipas tij, “shqiptarët e Shqipërisë vazhdojnë t’i shfrytëzojnë ekonomikisht ata të Kosovës”, ngaqë, në një mënyrë a tjetër, përfitojnë nga frekuentimi i tyre në brigjet dhe mjediset e turizmit detar të Shqipërisë.

Mirëpo, për dallim nga Çupi, që arsyet i lidh me “psikozat e post-komunizmit” dhe idenë që “të tjerët kanë me bollëk dhe punojnë për ne”, për Albanian Post Çipa thotë se kjo sjellje me turistët nga Kosova vjen vetëm “për shkak të mosnjohjes”, si pasojë e mungesës së komunikimit për një kohë të gjatë midis dy pjesëve të një etnie.

“Hoteli në Durrës valëvit flamurin serb”

Së fundmi, është bërë virale një video ku një hotel në bregdetin e Durrësit, që është i hapur për të gjithë turistët, rezulton ta ketë vendosur edhe një flamur të Serbisë.

Vërtetësia e videos nuk është konfirmuar asnjëherë, sikundër që nuk është konfirmuar as mosvërtetësia. Prandaj, ajo ka bërë xhiron e rrjetit.

Për gazetarin Frrok Çupi, pronarët e hotelit “mund të kenë pasur mysafirë serbë” dhe prandaj e kanë shfrytëzuar flamurin në mënyrë komerciale.

Mirëpo, pak shqiptarë e perceptojnë flamurin si diçka komerciale. Mjafton të kujtohet incidenti me dron në stadiumin e Beogradit dhe që nuk lidhej as me flamurin, por vetëm me një dron me simbole kombëtare.

Prandaj, për Aleksandër Çipën, flamuri serb në Durrës mund të ketë qenë “provokacion shqiptaro-serb”.

Mikpritja shqiptare dhe nacionalizmi

Shqiptarët presin kosovarët. Shumica dërrmuese e pushuesve në bregdetin shqiptar janë nga Kosova.

Përveç shifrave, këtë e thonë edhe disa menaxherë hotelesh të kontaktuar nga Albanian Post.

Menaxheri i një prej hoteleve më të frekuentuara në Shëngjin tregon se 90% e pushuesve tek ta janë nga Kosova.

“Shumica dërrmuesve e turistëve, që pushojnë në hotelin tonë, janë nga Kosova, në çdo kohë të vitit”, sqaron ai.

Por, përtej këtyre shifrave, bregdeti nuk do nacionalizma, thotë Çipa.

“Nuk duhen lejuar hapësira për elementë të nacionalizmit dhe semantikës nacionaliste, apo politiko-nacionaliste në mjediset e plazhit”, sqaron ai.

Ndërkaq, gazetari Çupi vlerëson se, përtej kësaj, duhen “vlerësuar më shumë shtetasit e Kosovës që zgjedhin të vijnë, por edhe ata që investojnë në Shqipëri” dhe që, rrjedhimisht, kontribuojnë në ekonominë e vendit.

Po nesër?

Të gjithë strukturat e përfaqësimit dhe organizimit të entitetit të turizmit shqiptar, do të duhej të ndërtonin guida të trajtimit, si të vetvetes, ashtu dhe të pushuesve që vijnë nga viset shqiptare.

Kjo është e ardhmja e zhvillimit të turizmit shqiptar, sipas gazetarit Aleksandër Çipa, që u bën thirrje organizatave dhe shoqatave të turizmit, që të ndërtojnë një frymë të përbashkët të unitaritetit, për zhvillimin e nevojës të një turizmi të brendshëm që ka specifika të ndryshme nga ai i jashtëm.

Ndonëse, diferencat mes “shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë”, në sektorin e shërbimit të turizmit, janë drejt zhdukjes, për Frrok Çupin “qytetaria shqiptare është rritur, por nuk ka arritur akoma as gjysmën e qytetarëve të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore