Kosova

Kosova në grevë, Kurti në Japoni


Foto nga Albanian Post

Pikërisht në momentin që prioriteti i kryeministrit të Kosovës, supozohet të ishte greva e përgjithshme në arsim dhe një pjesë të administratës, Albin Kurti ka zgjedhur të largohet drejt lindjes së largët.

Ai sëbashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë vendosur të prejnë biletat për në Japoni (9218 kilometra larg grevistëve), ku do të marrin pjesë në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe, ceremoni e cila po shihet si kontraverse dhe pa bazë ligjore në sytë e opinionin publik në Japoni.

Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, duke filluar nga kryeministri Kurti dhe tërë kabineti qeveritar thoshin deri më tani se e drejta e fëmijëve për shkollim është prioritet.

Por, deklaratat e fundit të kryeministrit Kurti, për udhëheqësit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës se ata “kanë mbetur në kohën e PAN-it”, duke i lidhur kështu me partitë opozitare, vetëm se e përkeqësuan situatën.

“Sindikalistëve të PAN-it të cilëve i është ndalur sahati më 5 qershor 2017, pra aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. Tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë duke e bërë grevën armë kundër Qeverisë”.

Ndërkaq, për grevistët kjo deklaratë tregon vetëm një gjë – “Kryeministri dhe Qeveria sikur po angazhohen dhe sikur kanë dëshirë që greva të vazhdojë”.

“Deklarimi i kryeministrit, duke mos pasur as edhe një argument të bazuar se sindikalistët janë të PAN-it, ka krijuar indinjatë të grevistët dhe ka dëshmuar se Kryeministri dhe Qeveria as tani nuk janë të angazhuar e të interesuar për tejkalimin e situatës në gjithë sektorin e arsimit dhe te shërbyesit civilë”, thuhej në komunikatën e tyre.

Sipas grevistëve, që tash e një muaj kanë filluar grevën, “dyshim i grevistëve është forcuar pas vazhdimit të deklaratave pa as edhe një argument e fakt të Kryeministrit lidhur me grevistët dhe sindikalistët në përgjithësi”.

Edhe ministri Murati kishte bërë një deklaratë të ngjashme, kur u kërkoi llogari anëtarëve të Këshillit Grevist, se me cilën parti politike janë.

Për zgjidhje, u angazhua edhe Susane Flocken, drejtoresha e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), e cila erdhi nga Brukseli për të ndërmjetësuar dialogun mes qeverisë dhe SBAShK-ut, por as ajo megjithë influencën e saj në Komisionin Evropian nuk gjeti gjuhë të përbashkët.

“Unë erdha nga Brukseli veçanërisht për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, por nuk arritëm”, shprehej ajo.

Sidoqoftë mësidhënësit mbeten në grevë e nxënësit pa shkuar në shkollë sepse që nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte marrë vendim që të hyj në grevë duke kërkuar rritje pagash prej 100 eurosh derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Nga ana tjetër, qeveria do që grevistët ta ndalin grevën, por pa ua plotësuar kërkesën për rritje page, pa e proceduar ligjin për pagat me procedurë të shpejtë dhe duke mos pranuar që të bëjë një kompromis me ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore