Kosova

Kosova e pranon propozimin e BE-së për dinarin, thotë Bislimi


Besnik Bislimi

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Prishtina e ka pranuar propozimin që e ka bërë i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në lidhje me dinarin serb, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin kosovar, derisa ka shtuar se Serbia s’ka qenë e gatshme për kompromis.

Këto komente, Bislimi i ka bërë në një prononcim për media nga Brukseli, pas takimit që ka pasur me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç, me ndërmjetësimin e Lajçak-ut.

“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së”, tregoi Bislimi.

Kryenegociatori i Kosovës theksoi se ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, “gjegjësisht pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje”.

“Javën e kaluar i është bërë e qartë palës serbe se takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse vijnë me ide për kompromis. Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha”, shtoi.

Ai nënvizoi se përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia, “pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes e palëve të përfshira”.

Nga ana tjetër, Petkoviç, pas përfundimit të takimit në Bruksel, ka thënë se nuk është arritur marrëveshje për dinarin, derisa pretendoi se Kosova, përkatësisht kryenegociatori Bislimi nuk ka treguar “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje lidhur me këtë temë.

Petar Petkoviç

Kryenegociatori i palës serbe ka potencuar se për këtë temë pritet të ketë edhe një takim shtesë në Bruksel.

“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, tha Petkoviç.

Në Bruksel të enjten, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, janë takuar nën ndërmjetësimin e të Deleguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Fillimisht, Lajçak të enjten në mëngjes takoi vetëm kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç.

Ky është takimi i tretë i radhës që është mbajtur me qëllim për të gjetur një zgjidhje lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarit, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.

Edhe dy takimet paraprake përfunduan pa ndonjë rezultate konkrete në këtë drejtim.

Pas takimit të fundit e mbajtur më 25 mars në Bruksel, Bislimi theksoi se dallimet me Serbinë në këtë çështje janë të mëdha andaj kërkohet një takim shtesë.

Nga ana tjetër, Petkoviç kritikoi Prishtinën se nuk po bënë përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi dhe kërkoi që serbët t’i marrin paratë nga Banka Postare e Serbisë.

Ndërsa, në takimin e parë që kryenegociatorët e të dy vendeve përkatëse zhvilluan nën kujdesin e Lajçak-ut në Bruksel, u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore