Kosova

Konjufca thotë se Borrelli favorizoi Serbinë: Kjo do të ndryshojë pas ardhjes së Kallasit në krye të diplomacisë së BE-së


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një konferencë për shtyp të hënën në Prishtinë, ka konsideruar se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, por edhe Emisari Special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, përgjatë gjithë mandatit kanë favorizuar Serbinë.

“Sa i përket Borrellit e Lajakut, une kam parë se ata nuk kanë vepruar sipas standardeve evropiane… preferencat e tyre individuale kanë pasur ndikim të madh në mënyrën se si ata e kanë formësuar procesin e dialogut. Dhe një prej pasojave të kësaj qasjeje ka qenë favorizimi i padiskutueshëm i Serbisë në këtë proces negociator”, ka deklaruar kryekuvendari kosovar.

E emërimi i kryeministres aktuale të Estonisë, Kaja Kallas, në krye të diplomacisë evropiane, duke zëvendësuar Borrellin, konsiderohet të jetë lajm shumë pozitiv për Kosovën në kontekstin e procesit të dialogut për normalizimin e raporteve nën kujdesin e BE-së. Ai ka shtuar se shpreson që qasja e BE-së ndaj Kosovës do të ndryshojë pas ardhjes së Kallasit.

“Gjithmonë ka qenë njëfarë justifikimi dhe relativizimi i përgjegjësisë së Serbisë në destabilizimin e Kosovës… Prandaj, jam shumë shpresëdhënës për ardhjen e Kallasit në krye të politikës së jashtme të BE-së”, u shpreh ndër të tjera shefi i legjislativit kosovar në një konferencë të përbashkët me homologen sllovene, Urska Klakoçar Zupançiç, më 1 korrik në Prishtinë.

Ndryshe, një ndër kritikat kryesore ndaj Borrellit ka qenë se ai bashkë me Lajçakun kanë ardhur nga dy shtete të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën – Spanja dhe Sllovakia – përkundër se ata nuk kanë ndërmjetësuar dialogun në emër të shteteve përkatëse, por të dy kanë përfaqësuar qëndrimet e BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore