Lajme

“Konjufca kryeparlamentar, pesë ministri do të udhëhiqen nga gratë”


Arbërie Nagavci, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka konfirmuar se Glauk Konjufca do të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Tashmë është publike që Kuvendin do ta kryesojë z. Glauk Konjufca”, ka thënë Nagavci në intervistë për “Euronews Albania”.

Nagavci ka treguar se në Qeverinë Kurti 2, nga 15 ministri sa do të jenë, pesë do të udhëhiqen nga gratë.

Të mërkurën, Albanian Post ka raportuar për emrat e ministrave të rinj të qeverisë “Kurti 2”.

Një nga zëvendësit e Albin Kurtit në Qeveri, do të emërohet, Besnik Bislimi, që nuk kishte kandiduar për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Pozita e Ministres së Punëve të Jashtme është rezervuar për një nga deputetet e Listës “Guxo” të Vjosa Osmanit.

Bëhet fjalë për Donika Gërvallën, ish-anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bija e veprimtarit, Jusuf Gërvalla.

Në ministrinë e Punëve të Brendshme, kthehet Xhelal Sveçla, por tashmë jo si zëvendësministër e as si ushtrues detyre i ministrit, por si ministër i ardhshëm.

Sveçla është një nga personat më të besueshëm të Kurtit dhe në qeverinë 50-ditëshe që Lëvizja Vetëvendosje e udhëhoqi në bashkëpunim me Lidhjen Demokratike, Sveçla ishte zëvendës i Agim Veliut në ministrinë e Brendshme.

Dikasterin e financave në qeverinë e ardhshme mësohet se do ta udhëheqë ish-deputeti Hekuran Murati, ndërkohë si ministre e Ekonomisë do të rikthehet Rozeta Hajdari.

Arben Vitia, një nga më të votuarit në zgjedhjet e kaluara do ta rimarr pozitën që e la kur u rrëzua qeveria e Kurtit.

Vitia sërish do të jetë Ministër i Shendetsisë.

Ai ishte përfolur edhe si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme.

Emri tjetër i ri në qeverinë “Kurti 2”, do të jetë Hajrulla Çeku. Ai pritet të emërohet Ministër i Kulturës.

Çeku ka përvojë në pozita ekzekutive, por jo në Kosovë. Ai ishte një nga kosovarët e përzgjedhur për qeverinë e Edi Ramës në Shqipëri, ku pati ushtruar funksionin e zëvendësministrit në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Një ministri do t’i takojë komunitetit egjiptian, derisa një tjetër është e rezervuar për komunitetin serb. Ende nuk dihet se cilat ministri do të udhëhiqen nga këto dy pakica.

Seanca konstituive e legjislaturës së re do të mbahet më 22 mars. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm zgjedhjet e 14 shkurtit me 50.28 për qind të votave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore