Shqipëria

Komisonet Parlamentare, përplasje mes opozitës dhe mazhorancës


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me nisjen e seancës së Kuvendit të Shqipërisë, i ka kërkuar Partisë Demokratike të ridepozitojë listën e anëtarëve të Komisioneve.

Kjo, për faktin se ata kanë tejkaluar numrin që i kalon opozitës, duke regjistruar dy emra për disa Komisione.

Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, e ka cilësuar këtë kërkesë të Ballës një “kufizim për anëtarësinë e opozitës”.

“Kërkesa jonë është paraqitur bazuar në rregulloren e parlamentit. Nëse ju keni dëshirë për të kufizuar anëtarësinë e opozitës, kjo është çështje që nuk do të ecë”, u shpreh ai.

Kjo çështje do të diskutohet tashmë në seancën e radhës plenare, në mënyrë që të respektohet rendi i ditës.

Më herët, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) i ka dërguar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla një kërkesë zyrtare.

Në letrën e LSI-së kërkohen emërimi i anëtarëve të Komisioneve Parlamentare.

Përkatësisht Agron Çela kërkon të jetë anëtar i Komisionit të Sigurinë Kombëtare, Erisa Xhixho kërkon të jetë anëtare e Komisionit të Ligjeve, tek Integrimi dhe zëvendësuese te Media.

Petrit Vasili kërkon të jetë anëtar i Komisionit të Shëndetësisë dhe zëvendësues te Ligjet.

Komisionet 

Më 13 shtator, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, bëri me dije edhe propozimet për Komisionet e përhershme në punimet e Kuvendit.

Klotilda Bushka do të drejtojë Komisionin e Ligjeve, Mimi Kodheli do të drejtojë Politikën e Jashtme, Eduard Shalsi do të drejtojë Ekonominë dhe Financat.

Gjithashtu, Nasip Naço do të drejtojë Komisionin për Sigurinë Kombëtare, Jorida Tabaku Komisioni për Integrimin Evropian, Albana Vokshi Komisionin për Shëndetësinë dhe Agron Gjekmarkaj do të drejtojë Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore