Lajme

Komandanti i Ushtrisë Serbe takon Peach-in, bisedojnë për situatën e sigurisë në Kosovë


Stuart Peach dhe Milan Mojsiloviç

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneral Milan Mojsiloviç, është takuar këtë të shtune me të Dërguarin Special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, me të cilin, siç njofton ushtria serbe, kanë biseduar për situatën e sigurisë në rajon dhe botë, “me referencë të veçantë për situatën në Kosovë”.

Në këtë takim Mojsiloviç, ka thënë se pret që forcat ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, pra misioni i NATO-s, KFOR, “të zbatojnë plotësisht dhe në mënyrë të paanshme mandatin e tyre dhe të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për të kërcënuar sigurinë e qytetarëve”.

“Ushtria serbe në vazhdimësi i përmbahet Marrëveshjes Ushtarako-Teknike dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, e njeh KFOR-in si garantuesin e vetëm të sigurisë së popullatës serbe dhe mbrojtjes së qytetarëve tanë. trashëgimi kulturore, historike dhe fetare në Kosovë”, thuhet në njoftimin e ushtrisë serbe.

Gjatë vizitës së tij në Beograd, top-diplomati britanik është takuar edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministren serbe Ana Brnabiç, si dhe kryediplomatin serb Ivica Daçiç.

Siç ka njoftuar presidenti serb, me Peach-in ka biseduar për ngjarjet në Kosovë.

Aleksandër Vuçiç dhe Stuart Peach

Vuçiç, siç ka shkruar në Facebook, Emisarit britanik i ka thënë se shteti që ai drejton mbetet “i përkushtuar” për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“E ritheksova se Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, politikën e përgjegjshme dhe përmbushjen e marrëveshjeve të dakorduara, para së gjithash formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka shkruar ai.

Vuçiç takon Peach, bisedojnë për ngjarjet në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore