Kosova

“Komandant Suprem, ju presim”, në Veri shfaqen posterë me imazhin e Vuçiç-it


Në katër komunat në veri të Kosovës, mëngjesin e kësaj të diele janë shfaqur posterë me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në të cilët shkruhet “Komandant Suprem, ju presim”, raporton mediumi serb Kosovo Online.

Por, kjo nuk është hera e parë që në Veri shfaqen postierë dhe grafite provokuese. Vitin e kaluar, ishin shfaqur grafite ku shkruante “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Mesazhi i grafitit është pjesë e një kënge turbo-folk të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije, ndërsa këtë mesazh e kanë shfaqur para dy jave tifozët e klubit futbollistik “Crvena Zvezda (Ylli i Kuq)” në Beograd.

E njëjta ishte shfaqur edhe në Banja Llukë – qyteti i dytë më i madh në Bosnje-Hercegovinë dhe kryeqyteti politik i entitetit serb – afër rrugës kryesore që të çon në Prijedor, atje ku janë kryer disa prej krimeve më të rënda gjatë luftës më 1992-1995.

Edhe në të kaluarën ka pasur mesazhe urrejtjeje tmerruese kundër shqiptarëve dhe Kosovës.

Ndërsa thirrjet nacionaliste dhe irredentiste serbe sikurse ajo “Kosova është zemra e Serbisë” gjejnë ende mënyra për t’u shfaqur.

Koreografia luftënxitëse e shfaqur nga huliganët serbë të futbollit, ishte identike edhe me atë të shfaqur vitin e kaluar në një park lojërash për fëmijë në qendër të Beogradit, saktësisht në muret e Institutit për Kimi, Teknologji dhe Metalurgji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore