Lajme

Kolegu irlandez i DUP-it refuzon të bëjë testin për pasaportë britanike


Një koleg i Partisë Bashkimit Demokrat (DUP) në Irlandë ka thënë se është detyruar të mbajë një pasaportë Irlandeze për shkak të diskriminimit nga Ministria e Brendshme.

Willie Hay, Lord Hay i Ballyore, u tha deputetëve se nuk do t’i nënshtrohej një testi të shtetësisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe as 40 mijë njerëz të tjerë si ai që kanë lindur përtej kufirit por kanë jetuar tërë jetën në Irlandën e Veriut.

70-vjeçari tha se kur ka bërë kërkesë për pasaportë britanike atij iu tha se duhej të aplikonte së pari për shtetësi. U ftua të merrte pjesë në një intervistë për të provuar kombësinë e tij, por ai nuk pranoi ta bënte këtë për arsyetimin se ishte e pajustifikuar.

“Unë kam qenë në Irlandën e Veriut gjithë jetën time. Pse duhet të intervistohem … Unë thjesht refuzoj ta bëj atë. Po them që është e gabuar”, i tha ai komitetit të çështjeve të Irlandës Veriore.

“Ju jeni duke jetuar jetën tuaj, ju jeni pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. Ju paguani taksat tuaja. Ne po votojmë, qoftë në Dhomën e Lordëve apo kudo që të jetë. Nuk besoj se duhet të shkoj në Liverpool për provën e të jetuarit në Mbretërinë e Bashkuar, diçka për të cilën prova është tashmë atje”.

Një anëtar i shquar i DUP-it, Hay ka mbajtur disa poste të larta në jetën publike, përfshirë kryetarin e asamblesë së Irlandës së Veriut dhe kryetarin e bashkisë së Derry-t.

Ai ka qenë pjesë e makinerisë politike britanike dhe i janë dhënë informata “të rëndësishme të sigurisë” nga policia dhe MI5. Megjithatë ai tha se nuk u pa si britanik thjesht sepse ai kishte lindur 10 milje përtej kufirit në Donegal. Ky rregull vlen për këdo që ka lindur pas vitit 1949 kur republika e Irlandës u formua zyrtarisht.

Hay tha se ishte “absolutisht çmenduri” që qytetarët irlandezë në Irlandën e Veriut të cilët kurrë nuk kishin jetuar në republikë mund të merrnin lehtësisht pasaporta irlandeze dhe njerëz si ai nuk mund të merrnin pasaporta britanike.

Kjo shkon kundër marrëveshjes së Belfast për të Premten e Mirë, e cila lejon qytetarët në Irlandën e Veriut të identifikohen si britanikë, irlandezë ose të dyja, tha ai.

“Unë e shoh veten si një qytetar britanik që ka jetuar në Irlandën e Veriut gjithë jetën. Unë kam të drejtën e shtetësisë britanike dhe një pasaportë britanike. Unë jam duke u diskriminuar sepse nuk mund të marr pasaportën time britanike”.

“Unë e konsideroj veten si britanik. Në këtë moment, unë duhet të mbaj një pasaportë Irlandeze për të arritur atje ku duhet të arrij”, tha ai, duke argumentuar se qeveria Britanike po shtynte njerëz si ai drejt shtetësisë irlandeze.

Ai tha se shumë njerëz u shtynë gjithashtu të aplikonin për një pasaportë britanike për shkak të kostos ndaluese 1 mijë e 300 £ të procesit të shtetësisë. Në të kundërt, pasaportat irlandeze kushtojnë rreth 70 £, tha ai.

Ai u bëri thirrje njerëzve në “nivelin më të lartë të qeverisë” për të zgjidhur çështjen por tha se kishte frikë se Ministria e Brendshme nuk do dojë të hapi një kuti të Pandorës rreth rregullave të imigracionit.

Ai i tha deputetit Ian Paisley se ndjehej sikur të drejtat e tij njerëzore po shkeleshin, ashtu si edhe “shumë e shumë njerëz të tjerë në të gjithë NI, njerëz që kanë ardhur nga Republika Irlandeze, kanë jetuar në Irlandën e Veriut gjithë jetën e tyre”.

Përshtatur nga The Guardian për Albanian Post

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore