Shqipëria

Koka kërkon bashkimin e dosjeve për dy inceneratorët


Avokatët e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka kanë kërkuar për bashkimin e dy dosjeve të inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit.

Kërkesa është bërë me pretendimin se është e njëjta çështje.

Seanca për inceneratorin e Fierit –  e cila ishte e përcaktuar për t’u zhvilluar këtë të mërkurë – është shtyrë në datën 1 shkurt.

Ndërsa nga ana tjetër, është caktuar që sot të mbahet seanca dhe për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.

Një muaj më parë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti kërkesën për gjykim për ish-ministrin Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako.

Koka akuzohet për disa vepra penale si shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe pastrim i produkteve të veprimtarisë kriminale.

Ndërsa, ish-deputeti akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.

SPAK-u e ka akuzuar Alqi Bllakon se, në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier, kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori.

Të akuzuar janë persona të tjerë si shtetasit Klodjan Zoto, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Erjon Murataj, Florjan Muçaj.

SPAK ka evidentuar faktet penale në fazën e ndjekjes së procedurës për dhënien e koncesionit, si dhe në fazën e zbatimit të kësaj kontrate koncesioni.

Nga hetimi ka rezultuar se nga kreditimi i TVSH-së, bërë nëpërmjet faturimeve fiktive, i është shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit, në vlerën totale 59 milion e 950 mijë lekë.

Gjatë hetimit është vendosur masë e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë e të pandehurve Lefter Koka, Alqi Bllako dhe Klodian Zoto, që kanë përfituar në mënyrë të parregullt, me qëllim kërkimin e konfiskimit të vleftës së përfituar në mënyrë të parregullt.

Pas kërkesës së bërë nga organi procedues, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi katër masa sigurie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore