Lajme

Kina do t’i japë fund karantinës për udhëtarët e huaj


Kina ka njoftuar se kërkesa e saj për udhëtarët që mbërrijnë në vend për të hyrë në karantinë do të përfundojë më 8 janar.

Kjo është masa e fundit në një seri kufizimesh që do të hiqen pasi Kina braktis politikën zero-COVID.

Kina po sheh një shpërthim në infektimet e lidhura me COVID-in dhe punonjësit mjekësorë kanë thënë se po përpiqen ta përballojnë.

Ndërkohë, presidenti Xi Jinping u ka kërkuar zyrtarëve të bëjnë atë që është “e mundur” për të shpëtuar jetë.

Kina e ka ndaluar publikimin e statistikave të COVID-it, por mendohet se mijëra njerëz vdesin çdo ditë.

Që nga marsi i vitit 2020, të gjithë pasagjerët që mbërrijnë në Kinë duhet t’i nënshtrohen karantinës së centralizuar të detyrueshme.

Por kohëzgjatja është zvogëluar në mënyrë progresive, nga tre javë fillimisht në vetëm pesë ditë aktualisht.

Kurse referuar rregullave të reja, COVID do të zbresë nga një sëmundje infektive e klasit A në klasin B, që do të thotë se karantina nuk do të zbatohet më.

Sipas analistëve, kthimi i Kinës për mënyrën se si e menaxhon pandeminë e ka lënë Xi në një pozitë të pakëndshme.

Ai ishte forca lëvizëse pas politikës zero-COVID, e cila u fajësua për kufizimin e tepërt të jetës së njerëzve dhe dëmtimin e ekonomisë.

Por, duke e braktisur atë, ai tani duhet të marrë përgjegjësinë për valën e madhe të infektimeve dhe të shtrimeve në spital, kryesisht mes të moshuarve.

Zemërimi i publikut për trajtimin e pandemisë nga presidenti është një nga fushat në të cilat ai është më i prekshëm.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore