Lajme

KFOR-i përforcohet nga njësia e dytë ajrore e Kroacisë


Ilustrim

Njësia e dytë ajrore e kontingjentit të 40-të të ushtarëve të Kroacisë (HRVCON) është nisur në operacionin për mbështetjen e paqes në Kosovë në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të NATO-s (KFOR), njoftoi të mërkurën Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë, në dritën e ngritjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrezikut të përshkallëzimit të situatës.

Një prej detyrave kryesore të kontingjentit kroat në kuadër të misionit të KFOR-it, i cili ndodhet në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, është transportimi i ushtarëve, ngarkesave dhe personave të rëndësishëm, ndërsa komandanti i aviacionit, Elvis Mishiç, tha se ushtarët e njësisë janë të përgatitur mirë dhe të gatshëm për të kryer të gjitha detyrat.

“Detyra kryesore e kontingjentit kroat në operacionin e mbështetjes së paqes në kuadër të KFOR-it, i cili ndodhet në zonën e aeroportit të Sllatinës në Prishtinë, është transporti i forcave të KFOR-it, mallrave dhe personave VIP”, deklaroi Mishiç para nisjes së ushtarëve kroatë nga baza ushtarake e forcave ajrore “Knez Trpimir” në Divulje në rrethin e qytetit të Splitit.

Forcat e Armatosura të Kroacisë kanë marrë pjesë në operacionet e misionit të KFOR-it në Kosovë që nga 16 qershori i vitit 2009, bazuar në vendimin e Kuvendit të Kroacisë në korrik të vitit 2008. Për vitin 2023 dhe 2024, ekzekutivi kroat miratoi pjesëmarrjen e deri 160 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Kroacisë (HKoV) në misionin paqeruajtës në Kosovë.

NATO ka shtuar numrin e ushtarëve në Kosovë. Rreth 1 mijë ushtarë në kaudër të KFOR-it kanë zbarkuar në vend. Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash, ndërsa Rumania ka dislokuar rreth 130 ushtarë pas përshkallëzimit të situatës në veri, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu ka marrë vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR. Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia ka rritur numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s. Aktualisht 90 ushtarë sllovenë janë në misionin e NATO-s në Kosovë, ndërsa numri pritet të rritet për të paktën 100.

Më 5 dhjetor 2023, batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s (NRFC) është vendosur në Kosovë. Turqia ka dislokuar një batalion të këmbësorisë së Forcave të Armatosura (TSK) pas zhvillimeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore