Kosova

Këshilli Grevist i SBASHK-ut: Të nis mësimi nga 3 tetori


Këshilli Grevist i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit u ka dërguar një letër anëtarësisë për pezullim të grevës, duke iu kërkuar që mësimi të fillojë më 3 tetor dhe se greva të pezullohet deri në janar 2023.

SBASHK-u ka quajtur Qeverinë Kurti “inatçore”, pasi sipas tyre ekzekutivi nuk e ka prioritet zhvillimin e arsimit.

Letra e Këshillit Grevist të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit

“Duke parë se pas gjithë përpjekjeve tona që të kemi dialog të mirëfilltë e të gjejmë zgjidhje të kërkesave legjitime, Qeveria vazhdon qasjen e gabuar dhe pas angazhimit edhe të njerëzve me autoritet dhe ardhjes së drejtoreshës së përgjithshme të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) që ishte zë i grevistëve dhe solli kërkesa në emër të 11 milionë kolegëve nga e tërë Evropa që të realizohen kërkesat legjitime të grevistëve, por Kurti dhe qeveria vazhdoi të dëshmoi se nuk do të zgjidhë kërkesat e grevistëve”, thuhet në letrën e SBASHK-ut.

SBASHK-u ka thënë se dyshon që “greva po i duhet Qeverisë për të mbajtur vëmendjen e opinionit drejt grevës”.

“Duke u nisur nga kjo këshilli grevist i SBASHK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”.

Kryeministri Kurti, ditë më parë tha për udhëheqësit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës se ata “kanë mbetur në kohën e PAN-it”.

“Sindikalistëve të PAN-it të cilëve i është ndalur sahati më 5 qershor 2017, pra aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. Tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë duke e bërë grevën armë kundër Qeverisë”.

Ndërkaq, për grevistët kjo deklaratë tregon vetëm një gjë – “Kryeministri dhe Qeveria sikur po angazhohen dhe sikur kanë dëshirë që greva të vazhdojë”.

“Deklarimi i kryeministrit, duke mos pasur as edhe një argument të bazuar se sindikalistët janë të PAN-it, ka krijuar indinjatë të grevistët dhe ka dëshmuar se Kryeministri dhe Qeveria as tani nuk janë të angazhuar e të interesuar për tejkalimin e situatës në gjithë sektorin e arsimit dhe te shërbyesit civilë”, thuhej në komunikatën e tyre.

Për zgjidhje, u angazhua edhe Susane Flocken, drejtoresha e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), e cila erdhi nga Brukseli për të ndërmjetësuar dialogun mes qeverisë dhe SBAShK-ut, por as ajo megjithë influencën e saj në Komisionin Evropian nuk gjeti gjuhë të përbashkët.

“Unë erdha nga Brukseli veçanërisht për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, por nuk arritëm”, shprehej ajo.

Sidoqoftë mësidhënësit mbeten në grevë e nxënësit pa shkuar në shkollë sepse që nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte marrë vendim që të hyj në grevë duke kërkuar rritje pagash prej 100 eurosh derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore