Shqipëria

Këshilli Evropian mbështet propozimin e Ramës për mbajtjen e një “konference normalizimi”


Në margjinat e samitit të Bashkimit Evropian, shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti qartësisht idenë dhe propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama për mbajtjen e një konference normalizimi.

Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Këshillit gjatë një konference të përbashkët për shtyp me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Dua të them se ne gjithashtu mbështesim idenë për të organizuar sa më shpejt një konferencë me disa shtete anëtare të BE-së shumë aktivë në të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese, me koordinimin e SHBA-ve”, u shpreh Michel.

Ai shtoi se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit “të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.

“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Kreu i Qeverisë, Edi Rama e vuri theksin te “konferenca e normalizimit” edhe gjatë komunikimit me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell.

“Uroj që konferenca e nivelit të lartë mes liderëve të të dyja palëve do të tërheqë vëmendjen dhe do të sjellë nga shtetet anëtare të BE-së, nga SHBA-të dhe të mos i lejojmë të dalin pa një marrëveshje nga konferenca”, ravijëzoi sërish Rama.

Më herët, gjatë takimit me Charles Michel, të dy pranuan se ekziston një domosdoshmëri e menjëhershme për de-eskalimin e situatës në veriun e Kosovës.

Në këtë rrafsh, kjo është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë.

Pas dërgimit të letrës në adresë të presidentit francez dhe kancelarit gjerman, kryeministri shqiptar Edi Rama vijoi përpjekjet për të arritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Numri një i Qeverisë u shpreh para disa ditësh se i ka dërguar letër, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të KiE-së, Charles Michel.

Pasi tashmë duhet një shtytje e re: zbatimi me doemos i planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve dy palëshe.

Sipas Ramës, është e domosdoshme që Macron dhe Scholz të ndërhyjnë dhe me patjetër të shtyjnë zbatimin deri në fund të marrëveshjes bazë.

Kryeministri shqiptar ka propozuar më herët një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë, për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama sqaroi se, kjo konferencë normalizimi është pa të drejtë daljeje derisa të trajtohen ato pika që askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajit.

Tensioni Kosovë-Serbi, Rama: Konferencë normalizimi pa të drejtë daljeje

‘Basti’ i dikurshëm i Daytonit dhe risku i një ‘Konference normalizimi pa të drejtë daljeje’ për Kosovën dhe Serbinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore