Lajme

Kërkohet ndryshimi i Ligjit për financimin e subjekteve politike në Kosovë


Fotografia e shkrepur gjatë lansimit të punimit “Kosto e Pabarazisë: Financimi i Fushatës Zgjedhore së Grave Kandidate

Instituti “Demokraci për Zhvillim” ka lansuar punimin “Kosto e Pabarazisë: Financimi i Fushatës Zgjedhore së Grave Kandidate”, ku u prezantuan të gjeturat rreth mungesës së mbështetjes financiare për fushatë zgjedhore të grave kandidate për deputete në ulëset parlamentare.

Përmes këtij hulumtimi tregohet se 75 për qind e të anketuarave ndjehen të diskriminuara brenda subjekteve politike në procesin e ndarjes së resurseve humane dhe financiare gjatë fushatës zgjedhore.

“75 për qind e të anketuarave nuk marrin asnjë mbulim financiar për derivate të veturave përgjatë udhëtimeve në kohë fushate, dhe vetëm 25 për qind e grave kanë qasje në veturat e subjekteve politike për t’i shfrytëzuar për takimet gjatë fushatës zgjedhore”, ka thënë Valza Sopjani nga Demokracia për Zhvillim.

Gjatë diskutimit prezent ishte edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, i cili ka theksuar se në listën e kandidateve për kryetare të komunave janë vetëm 13 kandidate prej 167 në total.

Abbott ka thënë se për fat të keq shumë gra hezitojnë të hyjnë në politikë, duke shtuar se një nga barrierat ka të bëjë me çështje financiare.

“Ambasada është krenare për nxjerrjen e këtij raporti. Kjo temë është e rëndësishme dhe kemi parë një progres për uljen e numrit. Ku kemi parë thyerjen e një rekordit të zgjedhjeve nga një grua. Siç e dini një nga barrierat kanë të bëjnë me çështjet financiare”, ka thënë Abbott.

“Për fat të keq është se shumë gra për të bërë ndryshimin hezitojnë të hyjnë në politikë. Shpresoj që kjo të shërbej sesi financohen fushat për gratë kandidate. Njëkohësisht të përmirësohet dhe të sigurohet një transparencë të resurseve politike”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Drejtoresha e Demokracia për Zhvillim, Rrezarta Delibashzade-Krasniqi, u ka bërë thirrje subjekteve politike që të hartojnë rregullore të brendshme për ndarje të barabartë buxhetore dhe të ketë hapësirë të barabartë në fushatë.

Nga diskutimi i zhvilluar mes penalistëve kishte dakordim se financimi i grave për fushatë zgjedhore është njëra nga çështjet e kompleksitetit tonë si shoqëri mirëpo “kjo nuk është arsye që të stepemi edhe ta pranojmë se është vetëm një trend global”.

Po ashtu, Majlinda Sinani-Lulaj, Zëvendësavokate e Popullit, ka thënë se gratë janë të nënvlerësuara, prandaj duhet marrë masa të menjëhershme.

“Institucioni i Avokati i popullit ka marrë rolin si mekanizëm i ngritjes së zërit të ngritjes së përfaqësimit të grave në vendimmarrje. Gratë janë të nënvlerësuara, ky është fakt që e shohim çdo ditë, e atëherë kjo bëhet shumë vonë nëse ne s’kemi marrë masa për trasimin e rrugës në shoqëri”.

Ndërkaq, Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka përmendur disa shkaktarë të mungesës së përfshirjes së grave në politikë.

“Barazia në zgjedhjeve është element i rëndësishëm. Elementet financiare është e rëndësishme sepse paraja rikthen fuqinë politike dhe me përzgjedhjen e tyre në pushtet. Çështja e grave, kemi një numër të vogël të kandidateve në këtë proces, ku derivon me mungesë të të ardhurave, dhe mungesave e rrjedhjeve të fondeve nga rrjetet e bizneseve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore