Kosova

Kandiç për anulimin e festivalit “Mirëdita…” në Beograd: Serbisë si kjo duhet pasur frikë


Natasha Kandiç

Natasha Kandiç, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare (HLC), nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, derisa denoncoi shtetin serb për anulimin e turpshëm të festivalit tradicional “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, që promovon paqen mes Kosovës dhe Serbisë, paralajmëroi: “Serbisë si kjo duhet pasur frikë”.

“Pas ndalimit të festivalit dhe kthimit të autobusëve, asnjë njeri i denjë nuk do të dëshirojë të vijë më në Serbi. Serbisë si kjo duhet pasur frikë… Serbia u rreshtua me huliganët dhe errësirën e zezë etnonacionaliste. Në Serbi nuk mund të organizohet më debat për pajtim, as protestë kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës. Një vrimë e zezë”, theksoi mes tjerash Kandiç.

Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, njoftoi të enjten se Ministria e Brendshme lëshoi një urdhër për ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, duke pretenduar se tubimi rreth këtij festivali kulturor “mund të rrezikojë sigurinë e njerëzve, por edhe rrezikon të prishë rendin publik dhe paqen në shkallë të gjerë”.

Ndryshe, që nga themelimi në vitin 2014, festivali “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, që promovon pajtimin dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht në fushën e artit dhe kulturës, vazhdimisht është shoqëruar nga protesta të lëvizjeve ultranacionaliste të krahut të djathtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore