Lajme

Jovanoviç: Kosova është në qendër të planit amerikan për Ballkanin Perëndimor


Milan Jovanoviç

Milan Jovanoviç, kryetar i Forumit për Siguri dhe Demokraci, në një intervistë për “The Geopost”, tha se politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor orientohet nga “teoria e konvergjencës” – kalimin demokratik nga bota ruse në atë perëndimore.

Ai theksoi se Kosova është në qendër të planit të konvergjencës amerikane, ndërsa shtoi se Plani Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte që të parandalohej që Kosova të përdoret si siguresë kryesore apo ndërprerës kryesor për ripërtëritjen e konfliktit në Ballkanin Perëndimor.

“Se Kosova në asnjë kuptim nuk mund të jetë më karta apo aduti kryesor në kuvertën e politikës së jashtme të Serbisë apo përndryshe një bastion dhe mbështetje i strategjive antievropiane që janë shumë prezente, të dukshme dhe shumë të forta në Serbi”, tha ai.

Ai ndër të tjera komentoi edhe situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ku së shpejti priten të mbahet zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ngase anëtarët e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje për shkak të vendimit për targa.

Kur është pyetur nëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po përpiqet që përmes Listës Serbe dhe krijimit të tensioneve në veri të vendit po mundohet që të sabotojë Marrëveshjen e Ohrit, Jovanoviç tha se një gjë e tillë do të jetë edhe më keq për serbët në Kosovë dhe për zhvillimin dhe synimet demokratike të Serbisë.

“Kur është fjala për Listën Serbe, nuk jam i sigurt se Vuçiç ka aq supremaci ndaj politikanëve nga veriu i Kosovës sa supozohet dhe aq sa i atribuohet atij, aq më tepër që interesat e tyre janë edhe private dhe nuk janë gjithmonë në shërbim të interesave të Serbisë”.

“Në të njëjtën kohë, çdo fazë e re e mblesërisë politike, apo përpjekjeve për të shmangur apo vonuar hapat e dakorduar në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës, është gjithnjë e më pak efektive. Dhe mund të jetë gjithnjë e më e shtrenjtë, veçanërisht pasi Perëndimi e pa mirë lojën që po luhej në Kosovë”, shtoi ai.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Këtij teksti – ashtu sikurse më 27 shkurt në Bruksel – i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë – kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky aspekt po vlerësohet nga njohësit si pengesë për zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Megjithatë, gjatë ditëve të fundit janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa të Kosovës, ndërsa njëra me targa të Serbisë, prandaj ekspertët po vlerësojnë se tensionet mund të rikthehen sërish në këtë pjesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore