Lajme

Jakshiç: “Bota Serbe” më e rrezikshme sesa “Shqipëria e Madhe”


Boshko Jakshiç

Gazetari dhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Boshko Jakshiç, në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, ka konsideruar se realizimi i projektit nacionalist e fashist të serbëve për “Serbinë e Madhe”, do të paraqiste një rrezik më të lartë sesa realizimi i idesë së shqiptarëve për “Shqipërinë e Madhe”.

Jakshiç ka theksuar se as projekti i mjegullt i “Serbisë së Madhe” e as ai i “Shqipërisë së Madhe” – të ngjashme me idetë shtetomëdha në tërë rajonin – nuk e kanë dhe nuk do ta kenë kurrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ngase sipas tij, ekzistenca e njërës do të nënkuptonte ekzistencën e tjetrës.

Ndër të tjera, ai ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se gjoja ka marrë rolin e “bartësit kryesor” të idesë së “Shqipërisë së Madhe”, veçanërisht pas vizitës në dy komunat e banuara me shqiptarë etnikë në Maqedoninë e Veriut. Ai e ka krahasur atë me kryespiunin serb, Aleksandër Vulin, propaganduesin e ideve nacionaliste serbe.

“Kurti e përdor promovimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ për qëllime të brendshme politike, në radhë të parë për të forcuar pozitën e tij. Kjo është njësoj sikur Aleksandër Vulini flet për krijimin e ‘Botës Serbe’. Të luash me nacionalizmin është gjithmonë e rrezikshme, por kjo është jorealiste”, ka thënë Jakshiç.

“Nëse shqiptarët do të shpallnin një Shqipëri të Madhe, kjo do të shkaktonte trazira tektonike në rajon, duke përfshirë konfliktet e armatosura. Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia do të duhej të reagonin ndaj realizimit të një plani të tillë me perspektivën realiste të konflikteve të armatosura”, ka theksuar ai. 

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur të martën kallëzime penale kundër kryetarit të Tetovës dhe atij të Çairit – Bilall Kasami e Visar Ganiu – për “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kreut të ekzekutivit kosovar në dy komunat e banuara me shqiptarë etnikë.

Kryeministri Kurti ka qëndruar në këto dy komuna shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit dhe atij të Tetovës. Ai në Çair ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, që nga autoritetet maqedonase dhe ato serbe u konsiderua si tentativë për promovimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore