Lajme

Izraeli sulmon objektivat e Hamasit në Gaza në përgjigje të zjarrit me raketa


Militantët gjuajnë raketa nga Rripi i Gazës pas njoftimit për kapjen e të burgosurve palestinezë të arratisur

Avionët luftarakë izraelitë dhe helikopterët goditën objektivat brenda Rripit të Gazës gjatë kësaj fundjave.

Kjo, pasi për të dytën natë radhazi militantët palestinezë hodhën raketa në jug të Izraelit.

Sipas Njësisë së Zëdhënësit të IDF-së, objektivat përfshinin një vend për prodhimin e raketave, një rrjet tuneli, një strukturë stërvitore dhe një depo për ruajtjen e armëve.

Sirenat u dëgjuan mbrëmjen e së shtunës në bashkësitë kufitare Sderot dhe Gaza në Izrael pasi militantët lëshuan një raketë nga Rripi i Gazës, e cila u përgjua nga Kupola e Hekurt.

Ndërkaq nuk është raportuar për viktima, shkruan e përditshmja izraelite “Haaretz“.

Gjatë të shtunës, po ashtu forcat e sigurisë kishin kapur dy të burgosur palestinezë që u arratisën nga një burg izraelit i sigurisë së lartë në fillim të kësaj jave, duke e çuar numrin e të arratisurve të kapur nga burgu, prej katër në gjashtë.

Abu Obeida, zëdhënësi i Brigadave të Hamasit al-Qassam, tha të shtunën mbrëma se Hamasi do të kërkojë që të burgosurit e arratisur të përfshihen në çdo marrëveshje të ardhshme të shkëmbimit të të burgosurve të negociuar me Izraelin.

Madje, Hamasi aktualisht mban rob dy civilë izraelitë dhe trupat e dy ushtarëve izraelitë në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i Hamasit Abdulatif al-Qanua, ka dhënë po ashtu një deklaratë , teksa ka thënë se “arrestimi i dy të arratisurve nuk do të heqë njollën nga Izraeli. Mjafton që ata kanë poshtëruar forcat izraelite të sigurisë dhe regjimin e pushtimit”.

Fraksionet palestineze në Gaza kanë kërcënuar se do të sulmojnë Izraelin dhe kanë bërë thirrje për protesta në mbështetje të të burgosurve të arratisur.

Ndërkohë, i dërguari i Katarit në Gaza Mohammad al-Ammadi tha se “Autoritetet Palestineze ishin tërhequr nga marrëveshja me Kombet e Bashkuara dhe Doha për të transferuar ndihmën e Katarit te zyrtarët e Hamasit përmes bankave palestineze në Bregun Perëndimor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore