Lajme

“Izraeli po masakron Palestinën”: Çfarë ka thënë Erdogan në vitin 2018 dhe çfarë dëshiron tani


“Cili është ndryshimi midis veprimeve të Izraelit dhe atyre të Hitlerit?”.

Me këtë pyetje u është drejtuar presidenti turk Recep Tayip Erdogan mbështetësve të tij në vitin 2014 gjatë një mitingu për rizgjedhjen e tij si president.

Katër vjet më vonë, para deputetëve të tij në Ankara, ai ka thënë po ashtu se “Izraeli është shteti më sionist, më fashist dhe racist në botë , shpirti i Hitlerit banon në disa nga udhëheqësit e sotëm izraelitë”.

Po ashtu ka vijuar duke thënë se “palestinezët janë subjekt i presionit, dhunës dhe politikave të frikësimit jo më pak serioze se shtypja e ushtruar ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Pozicioni pro-Hamasit i liderit turk nuk është i ri , por që atëherë marrëdhëniet me shtetin hebre janë qetësuar për arsye strategjike dhe ekonomike.

Pastaj vjen kthesa.

“Sulmet në Gaza tashmë kanë tejkaluar kufirin e vetëmbrojtjes dhe janë shndërruar në masakra, mizori dhe barbarizëm”, ka thënë Erdogan gjatë një konference të transmetuar nga televizioni shtetëror TRT.

“Komisioni Evropian tha dje se nuk mund të kërkojë armëpushim, sa fëmijë do të duhet të vdesin ende për ta arritur këtë? Ata flasin për të drejtat e njeriut, por ata kanë injoruar të drejtat e popullit të Gazës për 19 ditë”, ka shtuar ai.

Ka pasur edhe një telefonatë mes presidentit turk dhe Papës, i cili “shprehu dhimbjen e tij për atë që po ndodh dhe kujtoi qëndrimin e Selisë së Shenjtë, duke shpresuar se mund të arrijmë në një zgjidhje me dy shtete dhe një statut të veçantë”, sipas asaj që raporton zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.

Megjithatë, ka pasur përparim në marrëdhëniet Izrael-Turqi.

Në vitin 2022, presidenti izraelit Isaac Herzog shkoi në Ankara, duke dhënë një sinjal për një drejtim të ri.

Vetë Erdogan planifikoi të vizitonte shtetin hebre.

Në fund të shtatorit në New York, lideri turk pati bisedime dypalëshe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Një marrëdhënie kjo, e lidhur edhe me luftën kundër një armiku të përbashkët, Iranit, mbështetësit armen kundër Azerbajxhanit, por edhe me nevojën për të qenë pjesë e gjeopolitikës energjetike në Mesdheun Lindor, duke filluar me projektin e gazsjellësit EastMed.

Pas sulmit të përgjakshëm të 7 tetorit kundër Izraelit, Ankaraja kishte tentuar edhe një herë një akt të vështirë balancues.

Nga njëra anë, duke mbështetur çështjen palestineze.

Dhe nga ana tjetër, duke u përpjekur të mos humbasin kontaktet me Izraelin.

Një qëndrim i paqartë ky, që Hamasi nuk e vlerësoi fare.

Në një intervistë javën e kaluar, Khaled Mashal, një figurë e lartë në organizatën terroriste, u ankua se “Turqia duhet t’i thotë stop’Izraelit”.

Pak ditë më parë u përhapën edhe thashethemet se liderët e Hamasit ishin urdhëruar të largoheshin nga vendi. Një lajm i cili më pas u mohua kategorikisht nga qeveria turke.

Megjithatë, qëndrimi i qartë në favor të organizatës terroriste palestineze mbërriti dhe tronditi Perëndimin, i cili sapo kishte marrë po-në e tij për hyrjen e Suedisë në NATO.

Presidenti turk deri më tani kishte arritur të luante me dy porta: mik i Perëndimit dhe NATO-s, përkrahës i çështjes palestineze. Një akt balancues i pamundur për t’u mbajtur pas 7 tetorit.

Ankaraja e ka mbështetur materialisht Hamasin që nga viti 2011. Udhëheqësit e saj, përfshirë Khaled Mashal, Ismail Haniyeh dhe Saleh al-Arouri, janë takuar hapur shumë herë me Erdogan-in.

Këta të fundit kanë pasaporta dhe rezidencë turke, të cilat i lejojnë të udhëtojnë midis Stambollit dhe Dohas, kryeqyteti i Katarit, i cili pret selinë e organizatës.

Çka bashkon Turqinë, Katarin dhe Hamasin është ideja e “Islamit politik”, sipas diktatit të Vëllazërisë Myslimane aq të dashur për të.

Qëndrimet anti-izraelite të Erdogan-it janë të njohura.

Në vitin 2009, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ai qortoi presidentin e atëhershëm izraelit Shimon Peres, duke akuzuar qeverinë e tij për vrasjen e fëmijëve palestinezë .

Në vitin 2010, ai dërgoi një ndihmë në Gaza për të shkelur bllokadën e marinës izraelite, një mision që çoi në incidentin e Mavi Marmara, i cili u sulmua nga forcat speciale izraelite.

Presdenti turk sakrifikon interesat strategjike të Turqisë për besimin e tij islam.

Ai tashmë ka njoftuar nisjen e një tjetër ndihme në Gaza dhe synimin e tij për të koordinuar një përgjigje ndaj operacionit të vazhdueshëm ushtarak izraelit në Gaza me homologun e tij iranian, Presidentin Ebrahim Raisi në një kohë kur shumë qeveri perëndimore janë në pikëpyetje për shtrirjen e përfshirjes së Iranit në sulme.

Kështu, Erdogan konfirmon dyshimet më të thella të Perëndimit për afinitetet e tij të vërteta.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore