Shqipëria

Ivi Kaso: Administrata po ushtron presion ndaj votuesve në qendrat e votimit


Ivi Kaso, përfaqësues ligjor i koalicionit “Bashkë Fitojmë“, ka bërë me dije për një sërë problematikash në qendrat zgjedhore.

“Vëzhguesit tanë dhe raportuesit nga terreni kanë njoftuar për një seri problematikash në qendrat zgjedhore, shkaktuar nga drejtorë bashkish, funksionarë të administratës dhe implikime të policisë, me veprime apo mosveprime”, ka thënë ai.

Ai ka sjellë në vëmendje Pikën 7 të Urdhrit të KQ të Zgjedhjeve, sipas të cilit kushdo që konstaton shkelje ka të drejtë të njoftojë, krahas strukturave zgjedhore edhe Policinë e Shtetit.

Sakaq, njoftimi duhet bërë me shkrim ose te numri i Emergjencës 112.

Policia është e detyruar të verifikojë informacionin dhe në rast të konstatimit të një shkeljeje duhet të veprojë.

Referuar Kasos, qytetarët që kanë dashur të raportojnë shkelje, kanë hasur në vështirësinë e parë.

“Numri 112 i Policisë është jashtë funksionimit. Nuk e dimë nëse ky është defekt teknik, paaftësi apo është bërë në mënyrë të qëllimshme, por i bëjmë thirrje policisë të kthehet në krye të detyrës dhe të respektojë ligjin”, ka theksuar ai.

Urdhri i KQZ-së, ka vijuar Kaso, përcakton qartë se persona të paautorizuar duhet të mbajnë një distancë nga objektet zgjedhore prej të paktën 150 metra.

“Mosrespektim të kësaj distance, madje prani flagrante në qendrat e votimit të patronazhistëve, të drejtorëve të administratës dhe të personave të tjerë të paautorizuar janë raportuar sot gjatë gjithë paradites në bashki në të gjithë territorin”, ka treguar ai.

Sipas tij, në mbi 500 qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja e identifikimit elektronik, pavarësisht se operatoret janë paraqitur ne kohë.

Po ashtu në pjesën më të madhe, sipas raportimeve të tij, ka grumbullime masive njerëzish të paautorizuar në oborret dhe mjediset hyrëse të QV, patronazhistë dhe drejtues të administratës

“Policia e njoftuar për çlirimin e qendrave të votimit nga patronazhistët më së shumit nuk përgjigjet, por edhe kur përgjigjet refuzon të zbatoje Urdhrin, duke e nxjerrë tërësisht veten jashtë funksionit kryesor sot: mbarëvajtja e zgjedhjeve”, ka treguar Kaso.

Ka raportime të shumta, sipas tij, që boja me të cilat shënohen gishtat fshihet lehtësisht duke ngritur dyshime për votim më shumë se një herë.

“Raste arbitrare të ndërhyrjes në procesin e votimit janë regjistruar sidomos në Durrës. Drejtori bashkiak Roni Shqopa, Davide Ndoj, kryetare e njësisë administrative Spitallë, Flamur Gjuzi drejtor i Sigurimeve Shëndetësore, dhe Artur Feto i OSHEE janë parë në qendrat e votimit në qytet dhe rrethina”.

Ai i ka drejtuar gjithashtu thirrje policisë të kthehet në krye të detyrës, të njoftojë KZAZ për shkeljet dhe ne përfundim te hartojë procesverbalin për shkeljen përkatëse.

“Të gjitha këto ndërhyrje hileqare në proces nga administrata dhe drejtorët e bashkive të Ramës nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për te tensionuar situatën dhe për t’u munduar t’i bëjnë parapritë humbjes së sigurt”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore