Lajme

Ish-presidenti Mohamed Bazoum në Niger u përpoq të arratisej, sipas juntës


Junta në Niger ka dështuar një përpjekje të ish-presidentit të rrëzuar, Mohamed Bazoum, për t’u arratisur nga paraburgimi.

Ish-presidenti u përpoq të ikte natën me familjen, kuzhinierët dhe sigurimin, ka thënë një zëdhënës ushtarak.

Kishte plane që grupi të udhëtonte me helikopterë, por plani u prish.

Bazoum ka qenë në arrest shtëpiak që kur anëtarët e gardës së tij presidenciale organizuan një grusht shteti në fund të korrikut.

Nigeri është pjesë e rajonit afrikan të njohur si Sahel – një brez toke që shtrihet nga Oqeani Atlantik deri në Detin e Kuq, në jug të shkretëtirës së Saharasë.

Zona është e rrënuar nga xhihadistët dhe e rrethuar nga regjimet ushtarake.

Përpjekja për arratisje ndodhi rreth orës 03:00 të enjten, ka thënë zëdhënësi ushtarak Amadou Abdramane.

“Presidenti i rrëzuar Mohamed Bazoum dhe familja e tij, dy kuzhinierët e tij dhe dy elementët e sigurisë, u përpoqën të arratiseshin nga vendi i ndalimit të tij”, ka treguar ai.

Por arratisja dështoi dhe “aktorët kryesorë dhe disa nga bashkëpunëtorët” u arrestuan.

Plani ishte që Bazoum të shkonte në një strehë në periferi të kryeqytetit Niamey, sipas Abdramane.

Më pas, grupi kishte planifikuar të fluturonte me helikopterë “që i përkisnin një fuqie të huaj” drejt Nigerisë.

Nuk është e qartë se ku po mbahen tani ish-presidenti dhe pjesa tjetër e grupit.

Mësohet se është nisur një hetim.

Ushtria e Nigerit përmbysi presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike me një grusht shteti më 26 korrik.

Ai pasqyronte kontrolle të ngjashme ushtarake në Burkina Faso dhe Malin fqinj, në mes të një kryengritjeje islamike dhe një ndikimi në rritje rus në rajonin më të gjerë të Sahelit përmes grupit të tij mercenar Wagner.

Bazoum ka refuzuar zyrtarisht të japë dorëheqjen.

Paçka situatës në të cilën ndodhej, ai ka qenë në gjendje të botonte një artikull në The Washington Post duke thënë se ai ishte një peng dhe se grushti i shtetit do të kishte “pasoja shkatërruese për vendin, rajonin dhe mbarë botën”.

Menjëherë pas përmbysjes së Bazoum, presidenti i SHBA-ve Joe Biden bëri thirrje që ai të lirohet menjëherë dhe për “ruajtjen e demokracisë së fituar me vështirësi të Nigerit”.

Kjo pasoi skadimin e një afati nga Ecowas, një bllok i fuqisë së shteteve të Afrikës Perëndimore, që udhëheqësit e grushtit të shtetit të largoheshin.

Kërcënimet për ndërhyrje ushtarake nuk u ndoqën dhe junta vazhdon të injorojë kërkesat për lirinë e presidentit.

Partia dhe anëtarët e familjes së Bazoum thonë se ai nuk ka pasur akses në ujë të rrjedhshëm, energji elektrike apo mallra të freskëta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore