Shqipëria

Ish-kreu i KQZ-së për Albanian Post: PD-ja po paguan vendimet e lidershipit, nuk mund të ketë zgjidhje


Partia Demokratike është duke paguar mënyrën se si ajo arriti të përballonte situatën me të cilën u ndesh dhe mënyrën se si lidershipi i saj kërkoi që të zgjidhë problemet.

Është ky mendimi i ish-kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i cili në një prononcim dhënë për Albanian Post komentoi situatën e krijuar në Partinë Demokratike.

Kështu, për Kumen faturën e sjelljes së liderëve demokratë mund ta paguajnë anëtarët e vetë kësaj force, simpatizantët dhe të gjithë qytetarët që do të donin që në organet e pushtetit vendor të kishin edhe përfaqësues nga opozita dhe jo vetëm mazhoranca.

Ajo që dihet tashmë është se partia më e madhe e opozitës, PD-ja, në zgjedhjet e 14 majit do të garojë me sa duket me dy kandidatë: një që do të jetë në garë me siglën zyrtare të PD-së, drejtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe tjetri në siglën e koalicionit (nën drejtimin e Sali Berishës).

E, pikërisht për këtë arsye, eksperti zgjedhor thekson se, opozita në këtë garë ka një faktor goxha të rëndësishëm në disfavorin e saj.

“Ndarja e votës midis kandidatëve të opozitës parashikoj që të jetë me efekte të ndjeshme në rezultatin përfundimtar në garën për kryetar bashkie”, thotë Kume për AP-në.

Ai shton se, për efektet nuk kanë rëndësi se sa pasoja sjellin te partitë politike, por te qytetarët, të cilat sipas tij do të jenë vërtet negative.

“Votat e zgjedhësve që më 14 maj do votojnë për kandidatë të opozitës nuk do të kenë fuqi të barabartë me votat e zgjedhësve që do të votojnë për Partinë Socialiste në konvertimin e mandatit për kryetar bashkie, por edhe për këshilltar”.

Edhe pse priten këto pasoja negative, ish-kryetari i KQZ-së është i mendimit se situata në Partinë Demokratike nuk do të ketë një zgjidhje.

Kjo jo vetëm falë faktorëve të brendshëm, por edhe atyre të jashtëm, thekson Kume.

“Mos harrojmë se nuk janë vetëm faktorët e brendshëm që kanë ndikuar në këtë situatë dhe që kanë bërë që kjo situatë të mos zgjidhet dot. Ka edhe faktorë jashtë PD-së, jashtë sjelljes së lidershipit”.

Prej këtyre faktorëve ai renditi si më kryesorin, shpalljen non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Mbretëria e Bashkuar të Sali Berishës.

Por, ky i fundit nuk ka ndërmend të dorëzohet.

Vetëm një ditë më parë grupimi i tij dërgoi në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) i cili rrëzoi kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet e 14 majit.

I pyetur nëse Kolegji Zgjedhor mund të ndryshojë vendimet e mëparshme, Kume përgjigjet se nuk pret të ndryshojë asgjë.

Kjo, pasi për të vendimet e marra deri më tani nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, janë në përputhje të plotë me legjislacionin përkatës dhe me atë çfarë parashikon Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta.

Edhe pse Celibashi më 18 mars miratoi në bazë të vendimit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve regjistrimin e Partisë Demokratike, me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeaj, Kume thekson se ka diçka që nuk shkon me këtë të fundit.

“Alibeaj është drejtues i Partisë Demokratike, por jo kryetar. Është i komanduar nga sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, por  për mendimin tim i komanduar pa respektuar germën e statutit të PD-së”.

Ai shpjegon për Albanian Post se ishte dashur siç e parashikon statuti që me dorëheqjen e kryetarit detyra e tij i merr një nga kryetarët që vendoset nga Këshilli Kombëtar si i tillë.

“Në këto kushte edhe pse ishte vetëm një nga kryetarët e mbetur që ishte i gatshëm të kryente këtë detyrë, Alibeaj, duhet të mblidhej Këshilli Kombëtar”, thotë Kume duke ravijëzuar se Këshilli duhet të ishte mbledhur për të trajtuar këtë problem dhe votuar.

Qoftë kjo edhe kur është një kandidat i vetëm, për të cilin mund të votohej me pyetjen “pro ose kundër”.

Në finalizim të bisedës së tij me Albanian Post, duke lënë pas edhe PD-në ish-kreu i KQZ tha se mbarëvajtja e zgjedhjeve nuk është aq në dorën e KQZ-së sa është në mënyrën se si do të sillen partitë politike këtë 14 maj, datë në të cilën qytetarët do të votojnë për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të Bashkive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore