Aplikacione

Irlandë, shërbimi shëndetësor goditet nga një sulm kibernetik


Në Irlandë, operatori i shërbimit shëndetësor i mbylli të gjitha sistemet e veta të IT-së për t’u mbrojtur nga një sulm “domethënës” ronsomware.

Agjencia e lajmeve, Reuters, zbulon se kjo ka dëmtuar shërbimet diagnostifikuese dhe ka detyruar spitalet të anulojnë shumë prej takimeve.

Ndërkohë, në vend nuk u ndërpre programi i vaksinimit kundër COVID-19.

Kreu i Ekzekutivit të Shërbimeve Shëndetësore (HSE) është shprehur se përpos programit të vaksinimit, sulmi po prekte sistemet e IT-së që shërbejnë në të gjitha sigurimet e tjera lokale dhe kombëtare.

Paul Reid, shefi ekzekutiv i HSE-së, ka shpjeguar se mbyllja e sistemeve të IT-së shërbeu si një masë paraprake për të mbrojtur sa më shumë që të jetë e mundur prej informacioneve.

Gjithashtu kjo masë ndihmon në vlerësimin e sulmit në mënyrën se si do të ndikonte në shërbimet e tjera të ofruara nga operatori.

Lidhur me sulmin kibernetik, Reid tha se ai ishte zbuluar që në orët e para të mëngjesit të së premtes dhe se ishte “një sulm ransomware i operuar nga njerëzit, të cilët do të kërkonin të merrnin akses në të dhëna dhe do të kërkonin një shpërblim për to”.

Ai ka shtuar se deri më tani HSE-ja nuk ka marrë asnjë kërkesë shpërblimi. Kjo pasi ndodhej në një pikë shumë të hershme për të kuptuar kërcënimin.

“Është një sulm shumë i sofistikuar, jo vetëm një sulm standard. Ai po ndikon në të gjitha sistemet tona lokale dhe kombëtare që do të përfshihen në të gjitha shërbimet tona kryesore”, ka thënë shefi ekzekutiv.

Ndër të tjera, Reid ka theksuar se programi i vaksinimit “fatmirësisht” vazhdon të jetë veçmas këtij sulmi. Kjo pasi sulmi po prekte kryesisht informacionin e ruajtur në server-at qendrorë dhe jo në pajisjet e spitalit.

“Shqetësimi ynë kryesor është siguria e pacientit dhe rezultat që mund të jenë të rëndësishme, të dhëna laboratorike që duhet të jenë në dispozicion për të menaxhuar kujdesin ndaj pacientit. Është shumë shqetësuese për pacientët”, ka thënë ai.

Për sa i përket sulmeve ransomware, ato zakonisht përfshijnë infektimin e kompjuterëve me software të dëmshëm, të cilët shkarkohen duke klikuar në lidhje që në dukje duken të padëmshme në postat elektronike apo dritare të tjera të internetit.

Më tej, përdoruesit lihen të kyçur nga sistemet e tyre me kërkesën e një shpërblimi që duhet paguar për rivendosjen e funksioneve të kompjuterit.

Kjo i bën ransomware-ët të ndryshëm nga llojet e tjera të piraterisë, të cilat mund të vjedhin grupe të mëdha të të dhënave të klientëve apo informacione të tjera nga kompani apo individë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore