Lajme

Intervistë e Albanian Post me profesorin Sinisha Vukoviç: Veç një gjë ta bëjë BE-ja dhe të gjithë do kenë qasje tjetër ndaj pavarësisë së Kosovës, përfshirë Beogradin


Autori, teoricieni dhe profesori në "John Hopkins University", Sinisha Vukoviç

“Atëherë kur Bashkimi Evropian si tërësi ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndryshimi në qasje do të jetë i menjëhershëm. Deri atëherë mund të gjendemi ende të ekspozuar ndaj tëhollësimeve të këtilla gjuhësore, që Beogradit ia sigurojnë hapësirën e nevojshme për të manovruar me shkëputjen e procesit të normalizimit nga njohja e njëmendtë [e pavarësisë së Kosovës]”.

Kështu është përgjigjur për Albanian Post, autori, teoricieni dhe profesori në “John Hopkins University”, Sinisha Vukovic, pyetur rreth asaj se a do të mundet BE të bëjë kapërcimin frazeologjik prej “dialog për normalizim të plotë të marrëdhënieve” në “dialog për normalizim të bazuar në njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi”.

Vukoviç, i cili është një nga studiuesit më eminentë rreth çështjeve gjeopolitike e sidomos ato për Ballkanin, deklaratën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, se dialogu Kosovë-Serbi duhet të kulmojë në njohje të ndërsjellë si një nga parakushtet për anëtarësim në BE, e sheh si “sinjal të qartë ndaj Beogradit se mospërfillja e pritshmërive që ka Berlini dhe pjesa tjetër e BE-së për procesin e normalizimit (dialogun) nuk do të tolerohet më”.

“Blerja e kohës do të bëhet shumë e shtrenjtë për Serbinë”, thekson ai.

Olaf Scholz, kancelari gjerman

Intervista e plotë e Sinisha Vukoviç për Albanian Post:

Albanian Post: Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe publiku serb u zunë në befasi nga deklarata e kancelarit federal gjerman, Olaf Scholz, i cili tha se është a pamendueshme që Serbia të mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën. Në opinionin serb kjo u komentua si qëndrim krejt tjetër fare nga ai i BE-së deri më tani, pasi që vetëm ShBA kërkonte diçka të tillë. Si e keni lexuar ju deklaratën e zotit Scholz?

Sinisha Vukoviç: Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët gjermanë haptazi ia rikujtojnë Serbisë që fundi i lojës së procesit të normalizimit të marrëdhënie është edhe njohja e ndërsjellë mes dy shteteve. Kështu që në nivelin zyrtar kjo nuk është befasi për autoritetet e Beogradit. Në anën tjetër, opinioni publik është çorientuar të besojë se deklarata të tilla, kurdo që vinë, përfaqësojnë një ngjarje të izoluar, dhe se Berlini ende po provon të kuptojë fundin e lojës. Me një deklaratë të tillë këso far përpjekjesh për të bërë spine në diskursin publik në Serbi rreth gamës dhe thellësisë së procesit të normalizimit është e qartë se do të ballafaqohen me sfida, rreth asaj si ta trivializojnë atë që me të vërtetë pritet nga Beogradi në fund të procesit.

Albanian Post: A konsideroni që Gjermania, respektivisht zoti Scholz, do ta shpie një kërkesë të tillë në nivele më të larta, ndryshe nga ish-kancelarja Merkel; që me të vërtetë të shtyjë para njohjen e Kosovës nga Serbia?

Sinisha Vukoviç: Nuk ka asnjë mekanizëm që dikush mund të përdor për ta detyruar Serbinë të bëjë diçka për të cilën ata nuk kanë vullnet. Megjithatë, kjo deklaratë është sinjal i qartë se mospërfillja ndaj pritshmërive që ka Berlini dhe pjesa tjetër e BE-së për procesin e normalizimit nuk do të tolerohet më. Blerja e kohës do të bëhet shumë e shtrenjtë për Serbinë. Ekziston edhe një tjetër aspekt mbi të cilën mund të punojë Berlini, dhe kjo është të josh pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovës ta bëjnë këtë në të ardhmen e afërt. Po shohim hapa të rëndësishëm drejt këtij fronti në muajt e fundit, dhe ky lloj mesazhi duhet të lexohet gjithashtu kundër kësaj prapavije.

Albanian Post: A jeni të mendimit se BE-ja si organizatë politike mund të ndërrojë frazeologjinë e saj rreth dialogut prej “normalizim gradual të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinë” në “dialog për njohje të ndërsjellë”, ashtu siç e thonë amerikanët qe një kohë?

Sinisha Vukoviç: Atëherë kur Bashkimi Evropian si tërësi ta njohë Kosovën, ndryshimi në qasje do të jetë iminent. Deri atëherë mund të gjendemi ende të ekspozuar ndaj tëhollësimeve të tilla të gjuhësore, që Beogradit ia sigurojnë hapësirën e nevojshme për të manovruar me shkëputjen e procesit të normalizimit nga njohja e njëmendtë. Dhe, në të njëjtën kohë, duhet të theksohet se njohja mund të vjen në forma dhe trajta të ndryshme, dhe më kuptimplote do të ishte gatishmëria e Serbisë për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe pranimin e Kosovës me emrin e plotë kushtetues të saj në këto organizata. Shkëmbimi formal i kredencialeve të ambasadorëve është i dobishëm por i panevojshëm në këtë pikë. Kemi parë se lëvizje të këtilla simbolike janë të mundshme, edhe pse të pamendueshme për një kohë të gjatë, siç dëshmoi njohja e fundit e statusit autokton të Kryepeshkopatës së Ohrit nga Kisha Ortodokse Serbe, një gjë e cila ka qenë e paimagjinueshme për dekada ndodhi praktikisht brenda natës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore