Shqipëria

Integrimi i Shqipërisë nuk mund të pengohet nga asnjë individ i vetëm, thotë kryediplomati shqiptar


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në fjalën e tij në Forumin e Dubrovnikut theksoi se vendi nuk do të lejojë asnjë individ të bllokojë rrugëtimin në Bashkimin Evropian.

Hasani u shpreh se nuk ekziston asnjë “pasiguri” apo “dyshim” për integrimin e Shqipërisë.

“Ne po i përmbushim detyrat tona të shtëpisë për të filluar negociatat për kapitujt dhe nuk duhet të lejojmë asnjë individ të hyjë në agjendën dypalëshe të një vendi. Shqipëria dhe partnerët e saj kanë investuar shumë në reformën e sistemit të drejtësisë dhe ajo ka filluar të krijojë besim me vendimet e saj. Njerëzit kanë nevojë për shpresë dhe ne do të përpiqemi të sjellim shpresë, përmes rezultateve”.

Hasani ravijëzoi se përveç procesit të integrimit në BE ka edhe elementë të tjerë për sukses, siç është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor për konvergjencën e mëtejshme ekonomike dhe integrimin gradual.

Gjatë qëndrimit njëditor në Dubrovnik, Ministri Hasani u takua me homologë të Turqisë, Sllovenisë, Armenisë dhe shkëmbeu mendime me kolegë të tjerë e përfaqësues të lartë të BE-së, me të cilët u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon.

Ministri Hasani deklaroi Shqipëria e ka treguar vendosmërinë e saj për përshpejtimin e procesit të integrimit, duke treguar progres të vazhdueshëm në ndërmarrjen e reformave.

Më herët, Hasani ka përsëritur se “ne në Shqipëri jemi gati të hapim sa më shumë kapituj të mundshëm gjatë këtij viti”.

“Nuk ka kohë për të humbur dhe shpresojmë shumë që pas një muaji të kemi mundësinë të organizojmë konferencën e dytë ndërqeveritare”.

Ajo në çfarë ky format, i njohur shkurtimisht si IGC (Inter-Governal Conference), konsiston, është takimi dypalësh mes strukturave të posaçme të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së një vendi kandidat.

Takimet nga radhët e BE-së i drejton përfaqësuesi i vendit që ka Presidencën e unionit në periudhën e përcaktuar kohore kur takimet mbahen.

Në to, ka një qëllim kryesor dhe ai është paraqitja e artikujve dhe kapitujve ligjorë që duhen arritur nga vendi kandidat. Në tërësi, janë rreth 130 mijë faqe material, të grupuar në 35 kapituj.

Vendi anëtar duhet ta sjellë legjislacionin e vet në kushte identike me ato të vetë unionit.

Ky proces i përafrimit ligjor njihet edhe si “aquis” (diçka për të cilën është rënë dakord).

Për secilin kapitull, dy takime formale ndërqeveritare zhvillohen mes vendeve kandidate dhe strukturave të BE-së.

Me plotësimin e kushteve të një kapitulli të caktuar nga vendi që aspiron unionit, kalohet në kapitullin tjetër, e deri në përmbylljen e gjithë procesit.

Gjatë Konferencave Ndërqeveritare, qëllimi i BE-së është të pasqyrojë dhe shpjegojë kuadrin ligjor në të cilin unioni funksionon dhe më pas të japë direktiva për arritjen e këtyre kritereve nga kandidatët.

Një raport publikohet më pas nga Komisioni Evropian për çdo kapitull të diskutuar në konferencë.

Këshilli i Evropës më pas, është ai që vendos ta pranojë apo jo propozimin e ardhur nga raporti i Komisionit. Në bazë unanimiteti, vendoset edhe hapja ose jo e kapitujve nga një vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore