Lajme

“Integrimi i mëtejshëm euro-atlantik është çelës për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë”


“Integrimi i mëtejshëm euro-atlantik është çelës për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë. Kosova do të ketë mbështetjen e plotë të Norvegjisë për proceset e nevojshme të reformave dhe për ambiciet e Kosovës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”.

Kështu ka shkruar në letër urimin e saj, Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka pranuar urimet për formimin e qeverisë dhe detyrën e re si kryeministër i vendit.

Solberg, ka cilësuar se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë “do të ishte një hap i rëndësishëm, ku Norvegjia do të ndjekë nga afër zhvillimet dhe do të vazhdojë të sigurojë ndihmë në këtë proces”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në përmbyllje të letër urimit, kryeministrja Solberg ka shprehur dëshirën për t’u takuar me kryeministrin Kurti dhe për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

Ndërkaq, kryeministri Kurti, një letër urim të tillë e ka pranuar edhe nga Kryeministri i Tajlandës, Prayut Prayut Chan-ocha.

“Marrëdhëniet e përzemërta ndërmjet Tajlandës dhe Kosovës, të rrënjosura fort në miqësinë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, do të forcohen edhe më shumë për përfitime të përbashkëta të dy shteteve tona dhe popujve tanë”, shkruhet në letrën e tij.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore