Kosova

Inspektorati do të hetojë konkursin e gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës


Ilustrim

Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK) të shtunën ka njoftuar se do të nis hetimet dhe inspektimet për konkursin e gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës.

IPK-ja, përmes një postimi, në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se kanë pranuar disa ankesa dhe informacione lidhur me disa pretendime për shkelje të ndryshme në procesin e konkursit.

“Hetuesit e IPK-së fillimisht kanë analizuar dhe verifikuar informacionet fillestare për parregullsi në proces. Gjithashtu Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj, ka marrë vendim për krijimin e një ekipe të përbashkët inspektuese-hetuese për të hetuar dhe inspektuar tërë procesin e gradimit nga momenti i shpalljes deri në fazën aktuale”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ata kanë theksuar se varësisht nga të gjeturat do të ndërmarrin veprimet e nevojshme.

Policia e Kosovës kishte hapur një konkurs për gradimin e zyrtarëve të Policisë në gradën e rreshterit, ku më 4 maj të këtij viti, ishte mbajtur testi me shkrim.

Lidhur me këtë, portali Dukagjini, të premten, ka raportuar se gjatë testit me shkrim ka pasur keqpërdorim e parregullsi si favorizimi i të preferuarve të zyrtarëve të lartë, shpërndarja e pyetjeve të testit nga njerëz me ndikim nga institucionet publike e politike, brenda Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore