Shqipëria

Iniciativa “Ballkani i Hapur” – Vuçiç, Rama dhe Kovaçevski takohen në qershor në Ohër


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe janë dakorduar për takimin e radhës në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur” që pritet të mbahet në Ohër gjatë muajit qershor.

“Kemi rënë dakord që në kuadër të iniciativës ‘Ballkani i Hapur’ në fillim të shtatorit në Beograd të organizojmë një panair turizmi, verërave dhe të specialiteteve të kuzhinës nga rajoni. Ne kemi planifikuar gjithashtu një takim në Ohër në qershor për të nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në kulturë e turizëm”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.

Ai ka theksuar se “po vazhdojmë të punojmë në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike për të mirën e popujve tanë”.

Ndryshe më 21 dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë është mbajtur takimi i Ballkanit të Hapur me nënshkrimin e 5 marrëveshjeve mes tri vendeve të kësaj nisme, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Tre liderët nismëtarë të “Open Balkan” patën ftuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinën që të bëhen pjesë.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, në hapjen e samitit të radhës, në kuadër të nismës rajonale “Open Balkan”, i cili u zhvillua në Tiranë, pati nënvizuar sërish pikëpamjen e tij se iniciativa është në fakt organi që mundëson zhvillimin e Procesit të Berlinit.

Iniciativa e “Ballkanit të Hapur”, u themelua më 29 korrik të vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore