Lajme

IAEA-ja humb kontaktin nga sistemet e monitorimit të masave mbrojtëse në Çernobil


Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha të martën se ka humbur kontaktin me transmetimin e të dhënave në distancë nga sistemet e monitorimit të masave mbrojtëse të instaluara në termocentralin bërthamor të Çernobilit në veri të Ukrainës, i cili u mor nga forcat ruse muajin e kaluar.

Termocentrali i Çernobilit nuk është aktualisht funksional dhe trajtimi i materialit bërthamor është ndalur, tha IAEA-ja, duke cituar informacione nga rregullatori bërthamor i Ukrainës. Objekti mban reaktorë të çmontuar si dhe objekte të mbetjeve radioaktive. Autoriteti rregullator i tha IAEA-së se mund të komunikonte me centralin vetëm përmes postës elektronike.

“Agjencia po shqyrton statusin e sistemeve të monitorimit të masave mbrojtëse në vende të tjera në Ukrainë dhe do të japë informacion të mëtejshëm së shpejti”, tha IAEA-ja në një deklaratë.

Kjo e fundit shtoi se ishte informuar nga zyrtarët ukrainas se po bëhet “gjithnjë e më urgjente” për të ndërruar stafin për “menaxhimin e sigurt” të termocentralit bërthamor të Çernobilit, ku rreth 210 punonjës kanë punuar për gati dy javë rresht që kur forcat ruse kapën kontrollin e objektit.

Stafi ka jetuar efektivisht në vendin e fatkeqësisë më të keqe bërthamore në botë për 13 ditët e fundit dhe ndërsa ata kanë akses në ushqim, ujë dhe ilaçe në një “masë të kufizuar”, situata e tyre “po përkeqësohet”, tha IAEA-ja nga rregullatori bërthamor i Ukrainës.

“Jam thellësisht i shqetësuar për situatën e vështirë dhe stresuese me të cilën përballet personeli në termocentralin bërthamor të Çernobilit dhe rreziqet e mundshme që kjo sjell për sigurinë bërthamore”, theksoi në deklaratë Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Mariano Grossi.

Tetë nga 15 reaktorët bërthamorë të Ukrainës janë duke funksionuar aktualisht dhe se nivelet e rrezatimit ende duken normale. Stafi ka qenë në gjendje të ndërrojë turne në vendet operative, duke përfshirë centralin më të madh bërthamor të Evropës në Zaporizhzhya, i cili është gjithashtu tani nën kontrollin rus.

Kjo është dita e 13-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe mbi 11 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën.

Ndërsa të paktën 474 civilë, përfshirë 29 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore