Lajme

“Hungaria po humbet besimin e fqinjëve të saj evropianë”


Sidomos në kohë lufte, besueshmëria e një qeverie është e një rëndësie të madhe. Kjo është arsyeja pse reagimi i Hungarisë ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës është një problem serioz. Për fqinjët e saj në Evropën Qendrore dhe BE-në në tërësi, Hungaria po humbet besueshmërinë si anëtare e komunitetit evropian.

Kështu shkruan Veronika Jozwiak, kolumnistja e Financial Times në opinionin e saj me titull “Hungaria po humbet besimin e fqinjëve të saj evropianë”, përcjell Albanian Post.

Përpara pushtimit, Katërshja e Vishegradit – Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia – i minimizonin mosmarrëveshjet me qëllim që të bashkëpunonin në fusha me interesa të mbivendosura.

Por, gradualisht, ky bashkëpunim joformal u ngushtua në fushëveprim. Në një masë të madhe, arsyeja ishte përpjekja e qeverisë hungareze të Viktor Orban për të ndërtuar lidhje më të ngushta politike dhe ekonomike me Rusinë pas vitit 2010.

Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë

Për shkak se politika e Orbanit nuk ndryshoi pas aneksimit rus të Krimesë në 2014, u bë e vështirë për Katërshjen e Vishegradit që të mbante një qëndrim të fortë të përbashkët në mbështetje të fqinjëve lindorë të BE-së, përfshirë Ukrainën.

Megjithatë, deri në pushtimin e Rusisë më 24 shkurt, të katër vendet pranuan se kishin perceptime të ndryshme për kërcënimin e paraqitur nga Moska – madje edhe qëndrimin ekstrem të Hungarisë, e cila nuk e konsideronte Rusinë aspak një kërcënim sigurie.

Dinamika Hungari-BE

Në të njëjtën kohë, Hungaria ka pasur mosmarrëveshje të shumta ligjore dhe politike me BE-në pasi Orban drejtoi një kurs nga demokracia drejt autoritarizmit.

Ka të dhëna për shkelje të lirive kushtetuese, veçanërisht lirisë së shprehjes dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

E gjithë kjo ndodhi nën hundën e shteteve më të mëdha të BE-së, të cilat mbyllën sytë. Fidesz, partia e Orbanit, ishte deri vitin e kaluar në Partinë Popullore Evropiane, më e madhja në Parlamentin Evropian.

Megjithatë, në kohë lufte, testi i përkatësisë në komunitetin e demokracive është i thjeshtë.

Prova e saj është shkalla në të cilën një aleat është i gatshëm të bashkëpunojë për të mbrojtur vlerat dhe interesat e përbashkëta, për të treguar solidaritet me viktimën dhe për të dënuar e ndëshkuar autorin.

Hungaria nuk bën pothuajse asnjë nga këto.

Të tjerë evropiano-qendrorë – baltët, çekët, polakët dhe sllovakët – janë në krye të përpjekjeve të BE-së për t’i ofruar Ukrainës ndihmë politike, pajisje ushtarake dhe ndihmë humanitare.

Prioriteti i Hungarisë është të minimizojë ndikimin financiar të luftës dhe të garantojë rrjedhje të qetë të gazit rus në vend.

Kjo përshtatet me qasjen tregtare të Hungarisë ndaj politikës së jashtme dhe të energjisë, e cila shpërfill konsideratat evropiane të sigurisë dhe solidaritetin rajonal.

Në parim, Hungaria miraton vendimet e BE-së dhe NATO-s, por pengon zbatimin e tyre dhe në fakt favorizon Rusinë.

Ajo nuk i lejon aleatët të dërgojnë armë në Ukrainë përmes territorit të saj.

Gjithashtu nuk ka gjasa që të bie dakord për një embargo ndaj gazit rus, apo edhe për blerje të përbashkëta të gazit nga BE.

Orban gjatë fjalimit ku e përcaktoi Zelenskyn si kundërshtar

Hungaria gjithashtu ka hezituar të dënojë mizoritë ruse në Ukrainë, siç është masakra e Buçës.

Orban madje e përshkroi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si kundërshtarin e tij. Mediat pro-qeveritare e përshkruanin presidentin e Ukrainës me një fushate talljeje.

Rusia shfrytëzon qëndrimin e Hungarisë për të nxjerrë në pah mosmarrëveshjet perëndimore mbi luftën.

Problemi i besueshmërisë përkeqësohet nga mungesa e një shpjegimi logjik përse Hungaria nuk mund të shkëputet politikisht nga Rusia.

Qëndrimi i Hungarisë e ka humbur favorin e Polonisë, dikur partneri i saj më i ngushtë.

Mbështetja e madhe në furnizimet ruse me energji, të cilave shpeshherë i referohet qeveria hungareze, nuk është një shpjegim i mjaftueshëm.

Sllovakia, e cila është edhe më e varur prej tyre, dërgon armë në Ukrainë.

Demokracitë në mbarë botën po i përgjigjen me vendosmëri agresionit të Rusisë. Është një moment vendimtar. Komuniteti i demokracive po rritet për të mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Për të rindërtuar bashkëpunimin kuptimplotë midis Katërshit të Vishegradit dhe për të rifituar besimin e partnerëve të saj më të afërt.

Hungarisë do t’i duhet të provojë se është pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët. Kjo do të kërkojë një ndryshim rrënjësor të qëndrimit të saj ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore