Kosova

Pendarovski: Kosova dhe BeH janë shtete të harruara nga BE-ja


Presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski, ka thënë se Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina janë të harruara nga disa anëtare të Bashkimit Evropian.

“Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova janë shtete absolutisht të harruara, absolutisht të harruara. Kosova nuk mund të marrë liberalizimin e vizave. Dhe tani çfarë entuziazmi dëshironi nga ajo popullatë, të jetë për Bashkimin Evropian?”, theksoi Pendarovski gjatë një interviste për Anadolu Agency

Duke kujtuar se Mali i Zi dhe Serbia kanë 10 vjet që negociojnë për anëtarësim në BE, ai thekson se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në pritje të avancimit drejt BE-së.

“Bosnjë e Hercegovina është vendi që objektivisht ka vuajtur më shumë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, me më shumë viktima, mbi 100 mijë të vdekur dhe nuk e di, disa thonë mbi 2 milionë të shpërngulur. Ata nuk munden të përparojnë për shkak të kontradiktave të brendshme të njohura. Por edhe Evropa, sepse disa shtete janë më afër njërit entitet, të tjerat me entitetin tjetër, nuk ia zgjatën dorën për t’i nxjerrë nga humnera të cilës po i afrohen”, shtoi Pendarovski.

Ai thotë se si pasojë e kësaj situate po shpërngulen të rinjtë nga i gjithë Ballkani, duke shtuar se asnjë vend sot nuk ka aq banorë sa kishte 20-30 vjet më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore