Kosova

Një e mitur dyshohet se u dhunua nga pesë persona në Prishtinë


Ilustrim

Një e mitur dyshohet se është dhunuar nga pesë persona të shtunën në Prishtinë.

“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën  e lartcekur  ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë  janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Ndërsa zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për Albanian Post se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Ulaj, ka theksuar se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka shtuar ajo.

Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj të miturit i cili dyshohet që së bashku me katër persona të tjerë dhunuan një të mitur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore