Lajme

Hoti: Borrell e Lajçak i zgjeruan kompencat e Asociacionit në nivel autonomie


Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë kohës kur Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak kanë negociuar dialogun Kosovë-Serbi, arritën që kompetencat e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe t’i zgjerojnë në nivel autonomie-‘vetëmenaxhimi’ për serbët e Kosovës.

Këto komente, ish-kryeministri i ka bërë në një postim në Facebook, me një shkrim të titulluar “Dështimet në dialog të [Albin] Kurtit dhe pasojat për Kosovën”.

Fillimisht, Hoti tha se po flitet se, krahasuar me ndërmjetësit e mëparshëm, Borell dhe Lajçak nuk arritën asgjë në dialog gjatë mandatit të tyre që mbaron në maj.

Por, sipas tij, “për fatin e keq të Kosovës, e vërteta është krejtësisht ndryshe”.

“Baronesha Ashton arriti marrëveshjen e vitit 2013, ku parashihej një Asociacion me kompetenca deri në vijën e atyre ekzekutive, e cila u ratifikua në Kuvendin e Kosovës dhe mundësoi, me gjithë vështirësitë në zbatim, shtrirjen e institucioneve të shtetit të Kosovës në Veri”, theksoi ai dhe vazhdoi të fliste për ndërmjetësen tjetër, Federica Mogerini.

“Zonja Mogerini arriti marrëveshjen e vitit 2015 për parimet e themelimit të asociacionit, por Kryeministri Mustafa u sigurua që kompetencat e asociacionit të jenë në përputhje me Kushtetutën, duke marrë miratimin e Gjykatës Kushtetuese para se statuti i asociacionit të fuqizohej”, shtoi.

Ndërsa, sa i përket Borrell-it dhe Lajçak-ut, Hoti potencoi se me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, arritën që kompetencat e Asociacionit t’i zgjerojnë në nivel autonomie-‘vetëmenaxhimi’ për serbët e Kosovës, “si dhe i dorëzuan formalisht Qeverisë së Kosovës draft statutin e asociacionit, i cili: i referohet Rezolutës 1244, i zyrtarizon strukturat paralele në arsim e shëndetësi për disa vite, vendos arbitrazhin mbi Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës etj”.

“Për fatin e keq të Kosovës, mungesa e vetëdijes dhe përvojës shtetërore nga Qeveria e Kosovës, duke mos u dhënë hapësirë në këtë proces ekspertëve, duke mos dëgjuar këshillat e aleatit kryesor, duke mos ofruar transparencë të procesit për opozitën për të marrë me kohë vërejtjet dhe sugjerimet, i dhanë të mbrapshtën dialogut”, pohoi.

Hoti, duke pasur parasysh kritikat e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës, përkatësisht kryeministrit Kurti për shkak të mos koordinimit me ta, potencoi se mbështetja nga aleatët për Kosovën nuk ka qenë asnjëherë më e ulët se tani.

“Kjo sigurisht nuk mundëson asnjë lloj marrëveshje të mirë për Kosovën në dialog apo në çfarëdo procesi euro-integrues. Si rezultat, dialogu është zhvendosur nga një proces ‘me njohjen në qendër’ që mbështetej nga letrat e liderëve kryesorë perëndimorë, në një proces ‘me asociacionin në qendër e i orientuar në menaxhimin e krizave’”, shtoi.

Për fatin e keq të Kosovës, vazhdoi deputeti i LDK-së, derisa në qeveritë paraprake integrimi i Kosovës ka qenë i përcaktuar nga reformat e Kosovës të parapara nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e Qeverisë Mustafa, “tani obligimet e Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit janë vendosur si kritere në procesin e integrimit evropian të Kosovës”.

“Për fatin e keq të Kosovës, tani është krijuar një status quo e re në dialog. Qeveritë e ardhshme duhet të përballen me pasojat, të kthejnë mbështetjen nga aleatët dhe të ri-nisin dialogun për njohje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore