Lajme

Hong Kong: Burgoset për mashtrim një pronar i medias pro-demokratike


Pronari i medias pro-demokratike në Hong Kong, Jimmy Lai, mori një dënim të ri me pesë vjet e nëntë muaj të shtunën.

Kjo, pasi u shpall fajtor për mashtrim në një mosmarrëveshje kontraktuale.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë perëndimore.

Lai, themeluesi 75-vjeçar i gazetës së mbyllur tashmë “Apple Daily”, kishte përfunduar së fundmi një dënim prej 20 muajsh burg, si rezultat i dënimeve të shumta për pjesën e tij në protesta dhe tubime të paautorizuara.

Ai gjithashtu përballet me një dënim të përjetshëm në gjyqin e tij të ardhshëm për akuzat e sigurisë kombëtare.

Ndërsa dënimet e mëparshme lidheshin me rolin e tij në protestat e mëdha të demokracisë që përfshiu Hong Kongun në vitin 2019, rasti i fundit përfshinte një nga kompanitë e tij që shkelte kushtet e qirasë në zyrat e gazetës së tij.

Lai dhe ish-ekzekutivi i Apple Daily Wong Wai-keung u shpallën fajtorë për mashtrim në tetor në atë që gjykatësi i qarkut Stanley Chan e përshkroi si një skemë “të planifikuar, të organizuar dhe shumëvjeçare”.

Prokurorët thanë se një firmë konsulence Lai që operonte për përdorimin e tij personal kishte zënë hapësirën e zyrës që Apple Daily e kishte marrë me qira për qëllime botimi dhe printimi.

Kjo ishte në kundërshtim me kushtet e qirasë së Apple Daily të nënshkruar me një kompani qeveritare dhe përbënte mashtrim, thanë prokurorët.

Një nga aktivistët më të njohur pro-demokracisë në Hong Kong, Lai ka qenë prej kohësh i urryer haptazi nga Pekini zyrtar.

Për vite të tëra, “Apple Daily” kishte ashpërsuar kritikat e saj ndaj partisë komuniste të Kinës dhe mbështeste hapur demokracinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore