Euro 2020

Historiku i Evropianëve, EURO 1992


Evropiani i vitit 1992, i nënti në total, ishte Evropiani i fillimeve të reja dhe i fundit për rregullat e vjetra.

Gjermania luante e bashkuar, jo e ndarë si lindore dhe perëndimore.

Jugosllavia nuk merrte pjesë, shpërbërja e shteteve bëri që Danimarka të merrte vendin e tyre.

Bashkimi Sovjetik nuk merrte pjesë, por përfaqësohej nga CIS-i ose ‘Commonëealth of Independent States’.

Ishte Evropiani i fundit që kishte vetëm tetë skuadra.

I fundit që dhuronte vetëm dy pikë për fitoren dhe i fundit që nuk kishte rregullin e ‘pasimit prapa’.

Deri atëherë, portjeri lejohej ta kapte topin me dorë edhe nëse pasimi ishte me këmbë, dhe 1992-ta ishte njëlloj.

Faza kualifikuese

Numri i skuadrave që merrte pjesë në kualifikime u rrit në 33, nga 32 më parë.

Kur filluan kualifikimet në vitin 1990, Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia ishin ende të formuara, por Gjermania për herë të parë merrte pjesë si e vetme.

33 skuadrat u ndanë në shtatë grupe, pesë me pesë skuadra dhe dy me katër skuadra.

Organizimin përsipër të Evropianit e morri Suedia, e cila ishte e kualifikuar direkt për në Evropian.

Përveç skandinavëve, kualifikimin do ta siguronin shtatë skuadra nga grupet.

Si shkoi dhe kush u kualifikua?

Grupi 1, në grupin ku bëntë pjesë edhe Shqipëria, Franca ishte shumë e fortë.

Francezët fituan tetë nga tetë ndeshjet, duke lënë jashtë prapa tyre Çekosllovakinë, Spanjën, Islandën dhe Shqipërinë.

Grupi 2, Skocia arriti kualifikimin historik në Evropian për herë të parë, duke lënë prapa Zvicrën, Rumaninë, Bullgarinë dhe San Marino-n.

Grupi 3, Bashkimi Sovjetik, që në Evropian do merrte pjesë si CIS-i, la prapa Italinë, Norvegjinë, Hungarinë dhe Qipron.

Grupi 4, Jugosllvia përfundoi e para, por për shkak të zhbërjes si shtet, të drejtën për kualifikim e fitoi Norvegjia e të dytë, që la pas Irlandën e Veriut, Austrinë dhe Ishujt Faroe.

Grupi 5, Gjermania, arriti kualifikimin e parë si një shtet, duke lënë prapa Uellsin, Belgjikën dhe Luksemburgun.

Grupi 6, Holanda ishte pak më e mirë se Portugalia, duke arritur kualifikimin para tyre, Greqisë, Finlandës dhe Maltës.

Grupi 7, Anglia doli fituesë nga grupi i fundit, tre luanët s’kishin problem me Irlandën, Poloninë dhe Turqinë.

Dhe kështu, u formua grupi i tetë shteteve në Evropianin e fundit që do të kishte vetëm kaq shtete.

EURO 1992

Suedia priste Evropianin e tyre të parë.

Evropiani filloi më 10 qershor në Stockholm dhe u mbyll më 26 të po atij muaji në Gothenburg.

Formati ishte i njëjtë, me skuadrat që ndaheshin në dy grupe me nga katër.

Nga grupet, dy më të mirat kualifikoheshin për fazën gjysmëfinale.

Grupi A

Anglia, Danimarka, Franca dhe vendasit e Suedisë bënin pjesë në grupin A.

Këta të fundit, përfunduan të parët.

Vendasit e Suedisë kishin dy fitore dhe një barazim pas tre ndeshje duke përfunduar të parët.

Danimarka, e cila u kualifikua me fat, arriti t’i kalojë grupet me tre pikë, një fitore dhe dy barazime.

Dy shtetet e mëdha, Franca dhe Anglia, surprizisht mbetën jashtë.

Grupi B

CIS-i, Gjermania, Holanda dhe Skocia bënin pjesë në grupin B.

I njëjti skenar si në grupin A, ndodhi edhe në B.

Kampionët në fuqi, Holanda, u kualifikuan në vendin e parë me 5 pikë.

Pas tyre, erdhi Gjermania me tre.

Skocia dhe CIS-i u eliminuan me nga dy pikë.

Gjysmëfinalet

Suedia, fituesit e grupit A, përballëshin në gjysmëfinale me Gjermaninë, të dytit e grupit B.

Ndeshja prodhoi shumë gola, duke qenë një ndër gjysmëfinalet më interesante të Evropianit.

Gjermania shënoi vetëm pas 11 minutave, me anë të Jurgen Habler.

Pjesa e dytë filloi shumë mirë për gjermanët, njëlloj sikur e para.

Karl-Heinz Riedle shënoi golin e dytë për gjermanët, duke dyfishuar shifrat në minutën e 59-të.

Vetëm pas pesë minutash, me anë të një penalltie, Brolin ngushtoi shifrat në minutën e 64-të.

Ndeshja mbeti e pandryshuar deri në minutën e 88-të.

Riedle shënoi për të konfirmuar fitoren e gjermanëve, por ata nuk ishin aq të qetë deri në fund, me Andersson që ngushtoi menjëherë shifrat 2-3.

Pesë gola, spektatël, humbje dëshpëruese, dhe kualifikimin në finale qysh në pjesëmarrjen e parë.

Gjysmëfinalja e parë ofroi gjithçka, me Gjermaninë që u bë finalisti i parë i EURO 1992.

Holandë – Danimarkë

Spektakli ishte i garantuar në EURO 1992, mesa dukej.

Njëjtë sikur ndeshja Suedi – Gjermani, edhe Holandë – Danimarkë ishte e mrekulleshme.

Por, ndryshe nga ajo ndeshje, këtu shumica ndodhi në pjesën e parë.

Henrik Larsen, vetëm pas pesë minutash shënoi për epërsinë e danezëve.

Në të 23-ën, Denis Bergkamp barazoi gjithçka në 1-1.

Vetëm dhjetë minuta më vonë, Larsen u ngjit përsëri në skenë për të i dhuruar epërsinë Danimarkës.

Kur u duk se gjithçka po përfundonte me fitoren e Danimarkës, paprimtas u shfaq Frank Rijkaard.

Legjenda e futbollit holandez barazoi shifrat në minutën e 86-të duke e drejtuar ndeshjen në vazhdime.

Gjatë 30 minutave nuk ndodhi asgjë, dhe finalisti do të vendosej nga penalltitë.

Heroi i EURO 1988, Van Basten, do të ishte fytyra e “urryer” e këtij Evropiani.

Ai ishte i vetmi që humbi penalltinë e tij, me Danimarkën që iu drejtua finales pas fitores 5-4 në penallti.

Danimarka e kualifikuar me fat, iu drejtua një finale historike, duke qenë supriza e këndshme e Evropianit Suedez.

Më 26 qershor, në Gothenbrug, ata dhe Gjermania përballëshin për trofeun e madh.

Finalja e madhe

Në fakt, finalja nuk kishte shumë histori.

Surpriza vazhdoi deri në fund, dhe Danimarka nuk u ndal nga askush.

Para 37,800 tifoëzve në Ullevi të Gotherburg-ut, danezët shokuan gjithë Evropën duke u shpallur kampion të kompeticionit më madhor në kontinent.

Nga një gol në secilën pjesë, ishte i mjaftueshëm që Danimarka të rrëzonte Gjermaninë.

Jensen dhe Vilfort ishin golashënuesit.

Në një Evropian skandinav, kundër pritshmërive të të gjithëve, një shtet nordik ngriti troefun në qiell.

Ishte një Evropian i bukur për të mbyllur epokën me vetëm tetë skuadra, duke lënë të gjithë që padurim të presin për versionin e ri.

Së shpejti, EURO 1996…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore