Kosova

Hehir: Fitorja e Vuçiçit në zgjedhjet e Serbisë do të kërcënojë paqen në Evropë


Aidan Hehir

Ligjëruesi dhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe drejtësisë tranzicionale në Universitetin e Westminsterit në Britaninë e Madhe, Aidan Hehir, ka vlerësuar se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 17 dhjetorit do të ketë implikime serioze për paqen dhe stabilitetin në kontinentin evropian.

Në një artikull autorial të botuar në platformën “The Conversation” të hënën, ai ka konsideruar se nëse serbët rizgjedhin SNS-në edhe për një mandat, atëherë gjasat për konflikt rajonal do të rriten, posaçërisht në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. Hehir ka thënë se shumë vëzhgues kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e ripërtëritjes së konfliktit në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duhet të shihet si faktor i destabilitetit në Ballkanin Perëndimor, i cili ka ringjallur ndjenjat nacionaliste të serbëve jashtë territorit të Serbisë, ka thënë ai, në përpjekje për të çuar përpara idenë irredentise të të ashtuquajturës “botë serbe”. Hehir ka vlerësuar se kjo është një recetë për luftë në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.

“Vuçiç ushtron pothuajse kontroll të plotë mbi partitë kryesore serbe në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë dhe ka inkurajuar secilën që të minojë autoritetin e qeverisë qendrore në të dy shtetet. Serbët e Kosovës që kanë qenë në favor të integrimit janë bullizuar deri në nënshtrim ose janë vrarë”, ka nënvizuar Hehir, një ndër vëzhguesit e njohur ndërkombëtar.

Pavarësisht akteve destabilizuese, ka vërejtur studiusi britanik, liderët perëndimorë janë përpjekur të afrojnë Serbinë në gjirin euro-atlantik dhe ta largojnë nga Rusia. Ai ka thënë se shumë prej tyre kanë pozuar me presidentin serb, kanë festuar fitoret e tij elektorale dhe kanë “mbyllur njërin sy” ndaj politikave të qeverisë së tij, sikurse brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

“Një qëndrim i fuqishëm nga Perëndimi ndoshta do ta detyronte SNS-në të ndryshonte kursin dhe të parandalonte ripërtëritjen e konfliktit. Sidoqoftë, nëse Perëndimi ka unitet dhe vullnet për ta bërë këtë, mbetet për t’u parë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore