Lajme

Haradinaj përkujton Heroin e Kosovës, Sali Çekajn në 25 vjetorin e rënies së tij, e cilëson si “atdhetar shumëdimensional”


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka përkujtuar në 25 vjetorin e rëniës së tij, luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), njëherësh Heroin e Kombit, Sali Çekajn.

Përmes një postimi në llogarinë e tij të Facebook-ut, Haradinaj, e ka cilësuar Çekajn si “atdhetar shumëdimensional”, teksa ka shtuar se ai me bashkëluftëtarët e tij shërbejnë si frymëzim për brezat e ardhshëm për ta ruajtur lirinë.

“Heroi i Kombit Sali Çekaj, luftëtar e atdhetar shumëdimensional, ra heroikisht 25 vjet më parë së bashku me bashkëluftëtarët; Shefqetin, Mejdiun, Luanin, Ilirin, Hysniun, Izetin, Bejtën, Azizin, Afrimin, Fatosin, Fisnikun e Leonardin. Ata ranë për të mbetur gjallë në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës”, shkroi Haradinaj.

“Në këtë ditë, kujtojmë trimërinë dhe sakrificën e Batalionit “Atlantiku”, të cilët iu përgjigjën kushtrimit për lirinë e atdheut. Flijimi i tyre është frymëzim për brezat që vijnë, për ta ruajtur lirinë me çdo çmim”, ka shtuar i pari i AAK-së.

Përndryshe, më 16 gusht të vitit 2022, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i kishte dorëzuar urdhrin “Hero i Kosovës” familjes së Sali Çekajt, të cilin ia kishte ndarë po ashtu presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, në vitin 2005.

Çekaj, është i njohur për publikun si njëri nga komandantët më të shquar të UÇK-së dhe aktivist i madh i kombit shqiptar.

Ndryshe, urdhri “Hero i Kosovës” u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të kohëve moderne nga Lidhja e Prizrenit e po ashtu qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore