Kosova

Haradinaj: Deçani respekton vendimet e qeverisë, por qeveria s’e respekton Deçanin


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të martën, duke u referuar në vendimin e fundit për t’ia regjistruar 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, tha se autoritetet e Deçanit nën udhëheqjen e AAK-së do t’i respektojnë vendimet e Qeverisë së Kosovës, përkundër mungesës së përkrahjes nga ekzekutivi.

“Deçani, si çdoherë ka nderuar Kosovën e gjithë kombin në të gjitha çështjet e ndjeshme, dhe do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për t’i respektuar vendimet e institucioneve qendrore të Kosovës, sepse është shteti ynë dhe shtet tjetër nuk kemi”, deklaroi Haradinaj pas vizitës në komunën e Deçanit të martën.

“Por, qeveria e sotme e Kosovës nuk po e respekton dhe nuk po e përkrah Deçanin në kërkesat jetike në shërbim të qytetarëve. Shumë projekte kanë mbetur pa buxhetin e domosdoshëm për t’i përfunduar ato. Kjo sjellje e tillë e qeverisë ndaj Deçanit duhet të ndërpritet dhe t’i ofrohet përkrahja e merituar në projektet që kanë mbetur pezull”, shkroi mes tjerash Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi javën e kaluar se kërkoi nga Agjencia Kadastrale e Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe t’ia regjistrojë 24 hektarë tokë dhe pyll Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë përplasjesh e mospajtimesh midis bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve qendrore e lokale të vendit.

Në mbledhjen e ekzekutivit javën e kaluar, kryeministri njoftoi se vendimi për Manastirin e Deçanit u mor nga “arsyeja e shëndoshë” që Kosovës t’i hapet rruga për anëtarësim në Këshill të Evropës (KiE), duke shënuar një hap kyç drejt sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. E këtë lëvizje e përshëndetën Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE).

Kosova aplikoi për anëtarësim në KiE në maj të vitit 2022, por mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit është bërë pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në KiE, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet panteoni i kombeve evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore