Kosova

Hagë: Publikohet aktakuza e redaktuar ndaj Gucatit dhe Haradinajt


ish-udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë kanë publikuar aktakuzën me disa redaktime shtesë ndaj ish-udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Akuza ndaj tyre rëndon për vepra penale për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Aktakuza ndaj Gucatit dhe Haradinajt ishte konfirmuar më 11 dhjetor 2020 dhe ishte publikuar më 14 dhjetor 2020.

Ndërsa, një aktakuzë e korrigjuar ishte parashtruar më 5 korrik 2021.

Aktakuza ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z.Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Të akuzuarit sipas aktakuzës ngarkohen se kanë bërë komente përçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara, pretendon prokuroria.

“Me këto veprime, z.Gucati dhe z.Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Trupi gjykues ka përcaktuar 7 tetorin si datë për hapjen e procesit gjyqësor ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, të cilët po akuzohen për vepra penale për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gjykimi i tyre mund të filloj pasi ZPS-ja të lexojë të gjithë aktakuzat në versionin e redaktuar (këtë të publikuarin me datën katër tetor).

Edhe në kalendarin e Dhomave të Specializuara thuhet se me datën shtatë tetor do të zhvillohet seanca ndaj Gucatit dhe Haradinajt.

Kalendari i Dhomave të Specializuara – 07/10/2021- Mbahet seanca ndaj Gucatit dhe Haradinajt

“Trupi gjykues përcakton datën për hapjen e çështjes më datë 7 tetor 2021. Më tej në pajtim me rregullin 124/2 dhe parashtrimet e mbrojtjes sa i takon hapjes së çështjes ZPS do të lexojë aktakuzën versionin e korrigjuar siç është depozituar më 5 korrik 2021. ZPS do të jep deklaratën hapëse më 7 tetor dhe do të përpiqet të përfundojë deklaratën e tillë brenda kësaj date”, ka thënë Kryetari i trupit gjykues Charles L. Smith në konferencën parapërgatitore të së mërkurës.

Arrestimi i Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt nga zyrtarët e EULEX dhe përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuan në Prishtinë më 25 shtator të vitit 2020.

Paraqitjet e para të Haradinajt dhe Gucatit si të dyshuar para gjyqtarit të vetëm, Nicolas Guillou, u mbajtën respektivisht më 29 shtator 2020 dhe 1 tetor 2020.

Paraqitjet fillestare të Gucati dhe Haradinaj u zhvilluan më 18 dhjetor 2020 para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

Gucati u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa Haradinaj zgjodhi të paraqiste deklaratën e tij brenda 30 ditëve. Gjatë paraqitjes së tij të mëtejshme më 8 janar 2021, Haradinaj nuk arriti të bëjë një deklaratë. Në përputhje me rrethanat, në përputhje me Rregullën 92 (2) (f) të Rregullores, Gjyqtari i Procedurës Paraprake paraqiti një deklaratë të pafajësisë në emër të tij.

Më 9 Prill 2021, Prokurori Special paraqiti, si konfidencial, përmbledhjen e tij paraprake në këtë rast.

Më 16 korrik 2021, Gjyqtari i Procedurës Paraprake ia përcolli dosjen e çështjes Trupit Gjykues II.

Konferenca e përgatitjes së gjyqit në këtë rast është planifikuar të mbahet më 1 dhe 2 shtator 2021 gjë që ka filluar dhe është duke vazhduar.

Aktakuzën më pak të redaktuar mund ta gjeni këtu: https://repository.scp-ks.org/LW/Published/Filing/0b1ec6e980a208ed/Lesser%20Redacted%20Indictment.pdf

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore