Kosova

Më 7 tetor pritet të filloj gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt


Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Trupi gjykues ka përcaktuar 7 tetorin si datë për hapjen e procesit gjyqësor ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, të cilët po akuzohen për vepra penale për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gjykimi i tyre mund të filloj pasi ZPS-ja të lexojë të gjithë aktakuzat në versionin e redaktuar.

“Trupi gjykues përcakton datën për hapjen e çështjes më datë 7 tetor 2021. Më tej në pajtim me rregullin 124/2 dhe parashtrimet e mbrojtjes sa i takon hapjes së çështjes ZPS do të lexojë aktakuzën versionin e korrigjuar siç është depozituar më 5 korrik 2021. ZPS do të jep deklaratën hapëse më 7 tetor dhe do të përpiqet të përfundojë deklaratën e tillë brenda kësaj date”, ka thënë Kryetari i trupit gjykues Charles L. Smith në konferencën parapërgatitore të së mërkurës.

Procesi gjyqësor ndaj Gucatit dhe Haradinajt parashihet të përfundojë në fund të dhjetorit të këtij viti është thënë në këtë konferencë.

“Trupi gjykues përcakton si datën e synuar për mbylljen e çështjes së ZPS-së datën 9 nëntor 2021. Ne, po ashtu, përcaktojmë si datën e synuar për mbylljen e të gjithë çështjes datën 17 dhjetor 2021. Këto dy data mund të ndryshohen në varësi të zhvillimit të procedurave”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Gjithashtu është miratuar që të ketë edhe një dëshmitar kundër liderëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së me kërkesë të prokurorisë.

Kryetari i trupit gjykues Charles L. Smith, ka deklaruar se ZPS mund të thërrasë tre dëshmitarë për paraqitjen e çështjes së saj.

“Urdhri i parë, pasi janë shqyrtuar argumentet e ngritura nga secila prej palëve dhe sa i takon në veçanti kërkesës së ZPS-së për të shtuar një dëshmitar të ri në listën e dëshmitarëve, trupi gjykues e pranon këtë kërkesë, po ashtu neve do të marrim parasysh edhe parashtrimet nga ZPS, si rezultat i rregullit 118/1A paneli vendos që ZPS mund të thërrasë tre dëshmitarë për paraqitjen e çështjes së saj, përkatësisht dëshmitarin 48-41, 48-42 dhe 48-66”.

ZPS urdhërohet që deri më 1 tetor të dorëzoj listën e dëshmitarëve

Trupi gjykues në konferencë po ashtu, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit Special që të thërrasë dëshmitarin 48-66 si dëshmitarin e fundit në mënyrë që t’i lejojë kohë të mjaftueshëm mbrojtjes për të marrë në kundër-pyetje atë ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Nga ana tjetër avokatët mbrojtës të të akuzuarve kanë kërkuar që aktakuza të lexohet tërësisht në publik, meqë siç kanë theksuar ata “gjyqi është publik dhe aktakuza në tërësi paraqet pretendimet se si ZPS i shkruan ato”.

Prezantimi i ZPS-së duhet të përfundojë deri më 18 tetor ka thënë trupi gjykues ndërsa është urdhëruar që t’i jep mbrojtjes listën e provave materiale brenda 24 orëve para hapjes së çështjes, përfshirë këtu edhe video të cilat planifikohen të përdoren si prova materiale prej ZPS-së.

Ndërsa 20 shtatori është afati i fundit që palët (prokuroria dhe pala mbrojtëse) duhet të informojnë trupin gjykues për marrëveshjet e tyre dhe çështjet që nuk kanë arritur t’i zgjidhin.

Në konferencat para përgatitore në rast Gucati&Haradinja shumë herë pala mbrojtëse ka argumentuar që akuza ndaj klientëve të tyre është e përgjithshme, andaj ata kanë kërkuar që ajo të jetë e ngushtë dhe specifike duke trajtuar secilën çështje një e nga një.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuan në Prishtinë më 25 shtator të vitit 2020.

Paraqitjet e para të Haradinajt dhe Gucatit si të dyshuar para gjyqtarit të vetëm, Nicolas Guillou, u mbajtën respektivisht më 29 shtator 2020 dhe 1 tetor 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore