Lajme

Guterres e cilëson “incident të rëndë të sigurisë” terrorizmin në Banjë, kërkon që përgjegjësit të dalin para drejtësisë


Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, në raportin gjashtëmujor mbi punën e misionit të OKB-së (UNMIK) në Kosovë, bëri thirrje që përgjegjësit e sulmit terrorist në vjeshtën e vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës të vihet para organeve të drejtësisë pa vonesa të mëtejshme.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut është caktuar për 22 prill 2024, ndërsa në raportin që i referohet periudhës nga 19 shtatori 2023 deri më 15 mars 2024, një pjesë e madhe i kushtohet ngjarjeve të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë u cilësua nga Guterres “incident i rëndë i sigurisë” që acaroi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dënoj fuqishëm incidentin e rëndë të sigurisë që ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjska që çoi në humbjen tragjike të jetëve dhe bëj thirrje që hetimi të përfundojë e organizatorët të dalin para drejtësisë pa vonesë”, deklaroi Guterres në raportin i cili u publikua në faqen e internetit të OKB-së.

Guterres përshëndeti progresin e arritur në fund të vitit 2023 në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE), duke përfshirë zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë dhe njohjen reciproke të targave të automjetëve që mundësuan lirinë e lëvizjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai adresoi edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili ndaloi përdorimin e dinarit serb, dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të banuara kryesisht me serbë etnikë, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të tregohen palë konstruktive në procesin e dialogut.

Në tetor të vitit të kaluar u mbajt seanca e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi punën e UNMIK-ut, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet të hënën. Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti në shkurt të këtij viti një seancë të jashtëzakonshme pas kërkesës së Serbisë, veçanërisht pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin dinarin serb.

Megjithëse anëtarët e Këshillit të Sigurimit janë të bashkuar në mbështetjen e procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, ndarjet e thella midis anëtarëve të përhershëm – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe – kanë vazhduar të karakterizojnë qasjen e këshillit ndaj zhvillimeve në proces.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore