Lajme

“Grupi i Banjskës” dhe “Grupi i Kumanovës”, Kasolli: Surroi e kualifikoi Kosovën si burim të destabilitetit – kjo është e padrejtë


Afrim Kasolli

Afrimi Kasolli, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili aktualisht merret me shkrime dhe ese filozofike, ka reaguar ndaj paraleleve mes “Grupit të Banjskës” dhe “Grupit të Kumanovë” të ngritura nga Veton Surroi, ish-gazetar, politikan dhe publicist kosovar.

Kasolli, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka konsideruar se krahasimi i sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – me grupin e armatosur të shqiptarëve në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut (2015) është i padrejtë dhe sëkëndejmi, në dëm të pozicionit shtetëror.

“Ai ka implikime serioze ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Ngase kërkon t’ia imponoj atij një barrë që nuk e ka dhe nuk është dokumentuar asnjëherë”, ka shkruar Kasolli në formë kritike ndaj qëndrimit të Surroit se “të dyja [rastet janë] gabim!” dhe se “dy gabime nuk bëjnë një të drejtë!”.

Ish-deputeti Kasolli ka argumentuar pse, sipas tij, krahasimi i Surroit nuk qëndron. Ai ka thënë se përderisa nuk ka asnjë dyshim se sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe një tjetër u plagos, ishte “inkursion i përgatitur, orkestruar, planifikuar dhe ekzekutuar nga shteti serb”, në rastin e Kumanovës nuk kishte gisht shteti kosovar.

“Asnjë dëshmi nuk ekziston se strukturat shtetërore e sigurisë së Kosovës ishin të involvuara në atë aksion. Prandaj, t’i krahasosh këto raste është më shumë se skandal. Kjo do të thotë ta kualifikosh shtetin e Kosovës si burim të destabilitetit rajonal dhe kërcenim për vendet fqinje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore