Kosova

Grevistët i thanë Kurtit: Po tërhiqemi nga 100 euro, ai prap refuzoi


Nexhat Llumnica nga Këshilli Grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ua ka pranuar propozimin për uljen e shtesës nga 100 në 80 euro.

“Ne kemi ofruar një opsion tjetër, kemi thënë se po tërhiqemi nga kërkesa për 100 euro, qe 80 euro”, ka deklaruar Llumnica në RTV Dukagjini.

Greva e punëtorëve të sektorit publik në Kosovë do të vazhdojë, sepse as pas takimit të Këshillit Grevist me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, palët nuk kanë arritur dakordim.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Këshillit Grevist dhe figura kryesore që po udhëheqë grevën në Kosovë, ka deklaruar se ata ishin gati për një kompromis, por qeveria nuk po lëvizë nga pozicioni i saj.

“Mund të them se takimi ishte përmbajtjesor, mirëpo për momentin nuk kemi ndryshime. Qeveria qëndron në deklaratat për pakon të cilat i dini (pako për 50 euro çdo muaj), ne qëndrojmë si zë i punëtorëve të sektorit publik me kërkesat tona, të cilat i dini; që të ndikojmë pozitivisht te ligji i pagave, me ligjin për shërbyesit civilë”, tha Jasharaj.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore