Shqipëria

Grenell drekon me Ramën dhe bisedon për lirimin e Hashim Thaçit


Ish i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka drekuar të enjten e 25 majit me kryeministrin shqiptar Edi Rama ku ka biseduar edhe për lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Drekova me kryeministrin Edi Rama nga aleati ynë i madh në NATO, Shqipëria dhe ramë dakord që duhet bërë më shumë për të liruar Hashim Thaçin nga 3 vjet burg në Hagë. Akuzat kundër tij janë të rreme dhe dëshmitarët thonë se ato janë manipuluar nga Jack Smith”, u shpreh ish-zyrtari amerikan.

Rama shpenzon të gjithë fjalimin e tij në Këshillin e Evropës për Kosovën, UÇK-në dhe Thaçin

Rindërtimi i situatës

Më 3 prill, kryeministri shqiptar bënte me dije se ishin mbledhur zyrtarisht firmat e nevojshme në Asamblenë e Këshillit të Evropës, për një mocion të një rezolute të re mbi rezolutën e vitit 2011, në bazë të së cilës janë ngritur edhe akuzat kundrejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për trafikim të organeve njerëzore.

Kjo rezolutë e vitit 2011, e hartuar në bazë të një raporti hartuar nga Dick Marty, po përdoret edhe sot e kësaj dite, për të ngritur akuza të paqena mbi ish-krerët e UÇK-së, ku aktualisht në Hagë, po gjykohen ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dy ish-kryetarët e Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si edhe Rexhep Selimi.

Kreu i Qeverisë, më 18 tetor të vitit të kaluar, i pati dërguar një letër kryetarëve të shteteve e qeverive të të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Çfarë kërkon Shqipëria?

Sipas kërkesës së delegacionit shqiptar pranë organit të lartë evropian, do të kërkohet të përgatitet një raport i ri, për të zhbërë efektet e atij të Dick Marty-t.

Ky i fundit, është premisë direkte edhe e ngjizjes së Gjykatës Speciale, e cila ka çuar për gjykim në Hagë ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së.

Në dokument po ashtu shtohet se të gjitha pretendimet e ngritura nga Dick Marty në raport janë të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte.

Për rrjedhojë, ato duhet të cilësohen si të tilla nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

“Për këtë qëllim propozojmë këtë ‘Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri’”, vijohet më tej.

Këshillit të Evropës, ndër të tjera, i kërkohet të distancohet nga akuzat e paprovuara nga hetimet ndërkombëtare sepse 11 vite pas hartimit të raportit, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij nuk është vërtetuar.

Gjithashtu i kërkohet Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi.

Në projektrezolutë përsëritet thirrja për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore