Lajme

Google përkujton 75 vjetorin e Ditarit të Anne Frank


Google-i ka përkujtuar 75-vjetorin e botimit të Ditarit të Anne Frank, me një video të animuar që përshkruan momente nga jeta e saj në libër.

Anne Frank lindi më 12 qershor 1929. Ishte e bija e Otto dhe Edith Frank nga Frankfurt-i, Gjermani.

Familja e saj u shpërngul në Amsterdam, Holandë, në vitin 1934, pasi Partia Naziste e kryesuar nga Adolf Hitleri fitoi pushtetin në Gjermani.

Teksa persekutimet e hebrenjve u shtuan në korrik 1942, ata u fshehën në dhoma të fshehta pas një rafti librash në ndërtesën ku punonte Otto.

Deri në arrestimin e familjes nga Gestapo, policia sekrete naziste, më 4 gusht 1944, Anne mbajti një ditar që kishte marrë si dhuratë për ditëlindje.

Atje shkruante jetën e fshehur të familjes së saj.

Ditari pasqyron gjithashtu jetën e saj të brendshme si adoleshente.

Në të, ajo përshkruan gjallërisht të gjitha betejat e vogla rutinë që duhet të kalojnë adoleshentët.

Ditari i saj është bërë një dokument i rëndësishëm për të kuptuar se si ishte jeta nën Partinë Naziste.

Otto, i vetmi anëtar i mbijetuar i familjes së tij nga Holokausti, u kthye në Amsterdam për të zbuluar se ditari i së bijës ishte ruajtur nga sekretarja e tij, Miep Gies.

Ai vendosi të përmbushë dëshirën më të madhe të Anne për t’u bërë shkrimtare dhe e botoi ditarin e saj në vitin 1947.

Ditari u përkthye nga origjinali holandisht dhe u botua për herë të parë në anglisht në vitin 1952. Që atëherë, ai është përkthyer në më shumë se 70 gjuhë.

Me kalimin e kohës, ditari është bërë një nga librat më të shitur në botë dhe vazhdon të shërbejë si frymëzim për disa shfaqje dhe filma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore