Lajme

Gjykata vendosë një muaj paraburgim për administratorin e grupit famëkeq “Albkings”


Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten e 18 prillit ka vendosur për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj ndaj E.N, njërit prej administratorëve kryesor të grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram.

I njëjti dyshohet për kryerjen e veprës penale “vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, njofton AlbanianPost.

Bazuar në njoftimin e gjykatës, ai dyshohet se në vazhdimësi duke nisur prej muajit nëntor të vitit 2023 e deri më datë 12.02.2024 duke vepruar në bashkëpunuar me persona të tjerë, akoma të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim – fotografi dhe video intime dhe numër të telefonit të dy të dëmtuarave.

Po ashtu, E.N dyshohet se ka ofruar dhe shpërndarë edhe të dhënat e identifikimit edhe të personave të tjerë-kryesisht të gjinisë femërore në grupin “Albkings” në rrjetin social Telegram, por edhe në rrjete të tjera siç është aplikacioni TikTok.

“Gjykata ka vlerësuar se duhet të caktohet paraburgimi, duke marr parasysh faktin se i pandehuri E.N është shtetas i huaj, shtetas i Republikës së Serbisë dhe nuk ka vendbanim në Republikën e Kosovës dhe lehtësisht mund të largohet nga Kosova me qëllim që të shmanget procedurës që zhvillohet kundër tij, duke pasur parasysh dëmin që i është shkaktuar të dëmtuarve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e gjykatës.

Personi në fjalë u arrestua të martën e 16 prillit, derisa më pas ishte ndaluar për 48 orë pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale – Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se sipas detyrës zyrtare ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup.

Kundër aktvendimit të sotëm, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore