Shqipëria

Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për tatimin e profesioneve të lira


Gjykata Kushtetuese – këtë të enjte të 27 qershorit – ka bërë me dije se ka rrëzuar tatimin për profesionet e lira.

Ishte drejtuesja e Gjykatës, Holta Zaçaj, e cila bëri me dije se ka pranuar pjesërisht kërkesën e opozitës.

Kjo duke rrëzuar kështu tatimin me 15% për profesionet e lira.

“Cënohet liria e veprimtarisë ekonomike dhe parimi i propocionalitetit”, tha Zaçaj duke theksuar se masa 15% fitoi të zbatohej menjëherë pa ju lënë kohë të përshtateshin.

“Nuk është masa e përshtatshme dhe nuk e kalon masën e proporcionalitetit”.

Gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës  dhe shfuqizimin e nenit 69 pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM 753/ 2023,  rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.

Vendimi u mor pas ankimit të bërë nga Partia Demokratike dhe shoqëria civile.

Çfarë parashikonte paketa e re fiskale?

Janë 26 kategori të profesioneve të lira që do të tatohen, të ndara në 180 profesione sipas llojit të aktivitetit.

Të ardhurat nga punësimi do të tatohen sipas normave progresive 13% dhe 23%; të ardhurat neto nga biznesi sipas normave progresive 15% dhe 23%; të ardhurat nga investimi sipas normave respektive 8% dividendi dhe ndarjet e fitimit dhe 15% të ardhurat e tjera nga investimi.

Sipas paketës, sugjerohet një rritje të të ardhurave në arkën e shtetit dhe rregullime në disa sektorë.

Ndërsa, do të ketë një tavan prej 1.5% në rritjen dy-vjeçare të akcizave, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me normën e inflacionit.

Për uljen e këtij të fundit, Banka e Shqipërisë vendosi së fundmi edhe rritjen e normës bazë të interesit në 3.25%.

Thënë kjo, akciza e karburanteve, birrës, apo verës, nuk do të rritet me 11% si vitet e shkuara, por shtesa do të ndalet në vetëm 1.5%.

Nga ana tjetër, me rekomandim të Bashkimit Evropian, do të vendoset një taksë mbi industrinë e hekurit, çimentos dhe prodhimit të ferro-kromit.

Kjo, për shkak të emetimeve të karbonit që këto industri të rënda lëshojnë.

Këto kompani që përdorin qymyrin si lëndë të parë, paguajnë vetëm 3 lekë/kg si taksë karboni, dhe nga viti 2024 deri në 2030 ato do të paguajnë 15 lekë/kg.

Përjashtim nga taksat ndërkohë, sipas planit të Qeverisë, do të kenë importi i mëshqerrave dhe insekteve, ku përfshihen edhe bletët.

Në bazë të kësaj politike të re, synohet që të ketë një rritje të krerëve në vend si edhe zhvillim të mëtejshëm të bletarisë, apo stimulimit të prodhimeve të njohura si “bio”.

Ndryshime do të ketë edhe në ligjin për procedurat tatimore.

Kështu, nëse kompanitë nuk paguajnë në kohë tatimin korporativ apo mbi të ardhurat personale do të ketë gjoba proporcionale dhe jo fikse. Çdo ditë e papaguar, gjobës do t’i shtohet një kamatë me 0.06% e detyrimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore