Lajme

Gjukanoviç: Duan ta falsifikojnë regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi, në favor të serbëve


Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, në një intervistë me HRT ka thënë se regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë në Mal të Zi po synohet të falsifikohet, abuzohet dhe se përmes saj të “dëshmohet” se Serbët në Mal të Zi gjoja janë të rrezikuar. Për këtë arsye, pohon ai, eskponentët politikë po kërkojnë mbështetje nga Shteti i Serbisë.

Gjukanoviç thotë se Mali i Zi është përballë krizës më të madhe politike dhe institucionale që nga fillimi i sistemit shumë-partiak politikë.

“Nacionalizmi serbomadh në thelb nuk është pajtuar kurrë me pavarësinë malazeze. Thjesht duhet të dëgjojmë deklaratat, jo në çdo moment, por të presidentit të Serbisë, i cili në disa raste, duke kritikuar paraardhësin e tij, tha se Tadiç dikur e ka lejuar Malin e Zi të bëhet i pavarur”.

“Është sikur të duhet të pyesnim presidentin Tadiç apo presidentin Vuçiç”, për pavarësinë e Malit të Zi, pohon Gjukanoviç.

“Kur është fjala për regjistrimin e popullsisë, është e qartë, ata duan të falsifikojnë regjistrimin në Mal të Zi, duan të abuzojnë politikisht dhe duan të dëshmojnë se serbët në Mal të Zi gjoja janë të rrezikuar, prandaj kanë nevojë për mbështetjen e shtetit të Serbisë”, deklaroi Gjukanoviç.

“Siç qëndrojnë faktet, më lejoni t’ua shpjegoj: në vitin 1981 në Serbi kanë jetuar 147.000 malazezë, ndërsa në Serbi në vitin 2011 kanë jetuar 38.000 malazezë. Pra, afërsisht 110,000 më pak se 30 vjet më parë. Kur bëhet fjalë për serbët në Mal të Zi, në vitin 1981, 9.3 për qind ishte numri i serbëve në Mal të Zi. Tridhjetë vjet më vonë, në vitin 2011, janë 28.7 për qind serbë”, shtjellon Presidenti malazias.

“Pra, kaq për asimilimin e përfaqësuesve të popullit serb në Mal të Zi. Dhe po kaq u bëhet vonë tyre për mundësitë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor malazez të malazezëve që jetojnë në Serbi”, tha mes tjerash ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore